Vajzat dhe gratë përveç që janë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, shumë herë edhe kërcënohen, shantazhohen e detyrohen të veprojnë kundër vullnetit të tyre. Një rast i tillë dhe mjaft i rëndë dyshohet se ka ndodhur së fundmi në rajonin e Prishtinës dhe është denoncuar nga një 40-vjeçare.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima ka raportuar në Polici se po shantazhohet nga një person, i cili e ka kërcënuar me publikimin e disa pamjeve që i posedon.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, i dyshuari – i cili tashmë është identifikuar dhe viktima fillimisht kishin qëndruar së bashku në një motel dhe gjatë kësaj kohe i njëjti po dyshohet se pa dijeninë e saj e kishte filmuar.
Këto pamje që i dyshuari i posedon, i ka shfrytëzuar për ta kanosur viktimën, duke ia kërkuar 2 mijë euro për mospublikimin e tyre.
Përballë kësaj situate, e shqetësuar dhe e frikësuar, 40-vjeçarja ka vendosur që të kërkojë ndihmën e Policisë dhe si rezultat i nisjes së hetimeve, njësitë policore kanë arritur ta lokalizojnë vendndodhjen e të dyshuarit.
I njëjti është arrestuar në flagrancë dhe është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprat për të cilat dyshohet.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij të ndërmerren veprimet e nevojshme brenda afatit ligjor.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë.