Dukuria e fajdesë, që nënkupton huazimin e parave të cilat më pas duhet të kthehen me interes shumë të lartë, përveç se përbën vepër penale, është mjaft shqetësuese dhe e rrezikshme. Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur së fundmi në Pejë, Policia ka arritur ta arrestojë një person, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Sinjali ka mësuar identitetin e të dyshuarit dhe detaje të reja për rastin ku bëhet fjale për një shumë prej hiç më pak se 15 mijë euro.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i personi i arrestuar nën dyshimet se ka kryer vepren penale “Fajde” është Xhemail Haçku.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari i kishte dhënë viktimës para me fajde, rreth 5000 euro dhe më pas ka kërkuar t’i kthehen 15000 euro.
Sinjali mëson se palët kishin bërë marrëvëshje gojarisht, pasi viktima i ka kërkuar të holla të dyshuarit, të cilat i duheshin për ta dërguar bashkëshorten për shërim në një spital privat.
Për t’ia dhënë pesë mijë euro, i dyshuari kishte kërkuar kamatë prej 10 për qind nga viktima – një pjesë të të cilave, rreth 2500 euro i njëjti ia kishte kthyer për disa muaj me radhë.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije, se bazuar në dëshminë e viktimës, situata kishte eskaluar para disa ditësh, kur i dyshuari i ka shkuar viktimës te puna dhe e ka kërcënuar.
Haçku – po dyshohet se e ka kansour viktimën, duke i thënë se “e ka pritur boll për t’ia kthyer paratë” dhe më pas e ka paralajmëruar se në këmbim të parave do t’ia marrë një pjesë të tokës së tij.
Përballë kësaj situate, viktima e ka denoncuar rastin dhe si rezultat i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme brenda afatit ligjor.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.