Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në fshatin Dardhishtë të Obiliqit, ku një grua është gjetur pa shenja jete në rrugën ‘Agim Shalaku’.
Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë me dije se kanë pranuar thirrje për ndihmë, pasi viktima është gjetur pa ndjenja dhe dyshohet se është në rrezik për jetën.
Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin e viktimës dhe pas ekzaminimeve për shenjat vitale, kanë konstatuar vdekjen e saj.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit. Sipas informacioneve të para, viktima dyshohet se i ka dhënë fund jetës së saj.
Në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar familjarët e të ndjerës, të cilët kanë pohuar se ajo është gjetur e varur në litar në një objekt përcjellës të shtëpisë së saj.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’.
Sinjali mëson se viktima është Selvije Shalaku, 48-vjeçare.