Një shtetas i Republikës së Kosovës është arrestuar dy ditë më parë në pikën e kalimit kufitar në Batrovc të Serbisë, pasi i njëjti u kap me një sasi të madhe të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për punonjësin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Drilon Berbati, i cili prej kohësh shërben në Agjencinë për Regjistrim Civil si zyrtar administrativ.
Sipas informacioneve, Berbati u kap me mbi 18 kilogramë marihuanë, të cilat ishin të fshehura në automjetin që po udhëtonte, i cili ishte me targa të shtetit të Austrisë.
Gjatë kontrollit të veturës, janë gjetur gjithsej 32 pako me narkotikë, të cilët janë sekuestruar.
MUP-i serb ka publikuar edhe pamjet nga kontrolli të cilit u nënshtrua Berbati dhe të drogës që u sekuestrua.
Me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Mitrovicën e Sremit, Berbatit i është caktuar fillimisht masa e ndalimit për 48 orë dhe brenda afatit ligjor, pritet që të merren edhe masa tjera ligjore ndaj tij.