Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se procesi i normalizimit të marrëdhënieve varet nga Serbia më shumë se sa nga Kosova.
Sipas tij Kosova ka interes jetik që procesi i normalizimit me Serbin të jetë i ndarë prej procesit të integrimit në BE.
“Unë e ritheksoj që Kosova ka interes jetik që procesi i normalizimit me Serbin, që më shumë varet nga Serbia se sa nga Kosova, të jetë i ndarë prej procesit të integrimit në BE. Edhe sa i përket sundimit të ligjit, lirisë së mediave, të drejtave të njeriut, të drejtave politike, lirive civile, cilësisë së zgjedhjeve Serbia është e pa krahasueshme më Kosovën”, tha Kurti.
Ai ka thënë se Kosova është kampione në Ballkan sa i përket shumë proceseve si sundimit të ligjit e zhvillimit ekonomik, e për këtë ai ka thënë se është e pa drejtë që Kosova të ngelet peng i destruktivitetit të Serbisë.
“Kosova është kampione e Ballkanit sa i përket rritjes ekonomike dhe rishpërndarjes sociale. Janë dyfishuar investimet e huaja. E tash gjithë ky proces ekonomik dhe demokratik i Kosovës të ngelet peng i destruktivitetit të Serbisë që orkestron e financon paramilitar, nuk është e drejtë. Unë e kuptoj që BE-ja e dëshiron fqinjësinë e mirë, në jemi për fqinjësi të mirë por fqinjësi e mirë nënkupton njohët të ndërsjellët. Destruktiviteti i Beogradit nuk do duhej të përkthehet në ngadalësim të procesit për Kosovën”, tha ai.
Ai këto komente i bëri në vendosjen e gurthemeli për ndërtimin e Qendrës Rezidenciale për persona të moshuar në Podujevë, ku tha se destruktiviteti i Beogradit nuk do duhej të përkthehet në ngadalësim të procesit për Kosovën.