Bashkimi Evropian ka lëshuar sot një komunikatë në lidhje me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pritet të hyjë në fuqi sot.
BE-ja i kërkon Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, raporton Klan Kosova.
“Bashkimi Evropian merr parasysh rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pritet të hyjë në fuqi sot. Rregullorja synon të rrisë transparencën e flukseve financiare, të sigurojë stabilitetin financiar dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave”, thuhet në komunikatën e BE-së.
“BE-ja vëren se rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia. BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”, thuhet tutje në komunikatë.
Sipas BE-së, periudha e shkurtër e tranzicionit për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e serbëve të Kosovës.
Kujtojmë se të dielën ambasadat e vendeve të Quint-it i kanë bërë të njëjtën kërkesë Kosovës në lidhje me ndalimin e përdorimit të dinarit serb në territorin e Kosovës.