Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, tha se sot janë sulmuar enklavat serbe në Kosovë dhe shtoi se pas çdo gjëje qëndron kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili dëshiron, sipas tij, “të pastrojë etnikisht serbët”.
“Sot, pjesëtarë të policisë së Kurtit bastisën ambientet e Autoriteteve të Përkohshme dhe Qendrën Shëndetësore në disa aksione të sinkronizuara. Ata sulmojnë njerëzit, ngacmojnë njerëzit para barnatoreve. Të gjitha enklavat serbe u sulmuan pas vendimit të Albin Kurtit për shfuqizimin e dinarit dhe në kjo shënon, deri më tani, kërcënimin më të madh për zhdukjen e serbëve nga Kosova. Në komunën e Pejës, vetëm sa ta dini, popullsia është 605 banorë. Pyetja është se si këta njerëz do të mund të jetojnë normalisht”, tha Vuçiqi, raporton “Nova”.
Në adresimin e tij të sotëm para opinionit, presidenti serb tha se Serbia do t’u paguajë serbëve të Kosovës rreth 22 milionë euro paraprakisht në emër të pagave, pensioneve dhe përfitimeve të tjera.
“Ne kemi filluar t’u paguajmë rroga dhe pensione dhe përfitime sociale qytetarëve tanë në Kosovë paraprakisht, shumë më parë se të jetë koha për të paguar përfitimet e shkurtit. Deri në orën 12 kemi arritur të paguajmë rreth pesë milionë”, tha Vuçiq në një fjalim për mediat në Beograd lidhur me vendimin e Kosovës për ndalimin e dinarit, raporton N1.
Ai tha se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përfshijnë të drejtën e vendit të tij për të financuar disa aktivitete – shëndetësi, arsim, pensione për popullatën serbe.
“Kjo e drejtë nuk është vënë në dyshim me asnjë akt”, tha Vuçiqi.
I pari i shtetit serb tha se nuk do të ketë bisedime ndërmjet Bankës Popullore të Serbisë dhe Bankës Qendrore të Kosovës dhe se Prishtina kur i kërkon këto bisedime në fakt kërkon njohje.
“Ne besojmë se regjimi i Kurtit do të vazhdojë me shpërqendrime dhe shaka të reja”, tha presidenti i Serbisë.
“Ne do të gjejmë zgjidhje, nëse duhet do të gjejmë banka private për t’u licencuar, njerëzit nuk duhet të shqetësohen. A është një situatë e lehtë, nuk është, është e komplikuar, por njerëzit do të marrin para… Qeveria ka një mosbesim të madh ndaj Prishtinës dhe lëvizjeve të saj”, ka shtuar Vuçiqi.
Sipas tij, 922 subjekte ekonomike në bankën e “Kursimeve Postare” nuk do të mund të marrin të ardhura në dinarë dhe se kjo është “goditje shtesë për trendet ekonomike në komunitetet serbe”.
Ai tha se Serbia do të paraqesë një kërkesë për të mbajtur një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën.
Presidenti i Serbisë tha se ka shkruar një letër në lidhje me situatën aktuale që do të pranohet nga të gjithë përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, përfaqësuesit e institucioneve të BE-së, si dhe presidentët dhe kryeministrat e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, përfshirë Rusinë dhe Kinën, të cilët, tha ai, “në konsultime të brendshme, i kemi informuar se sa të shqetësuar jemi”.
Dje në Kosovë filloi zbatimi i vendimit të Bankës Qendrore, i cili e bën euron valutën e vetme të lejuar.
Paraprakisht, të martën në mbrëmje, Vuçiq ka mbajtur një takim urgjent me disa ministra të Qeverisë së Serbisë për të rënë dakord për hapat e ardhshëm që do të ndërmarrë Beogradi për shkak të heqjes së dinarit në Kosovë.
Me këtë rast, presidenti i Serbisë ka takuar edhe ambasadorët e Quint-it – Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian, si dhe përfaqësuesin e Ambasadës Amerikane në Beograd.
Vuçiqi ka folur edhe me ambasadorin rus Alleksandar Bocan-Kharchenko për çështjen e dinarit.