Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka folur pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të partisë, ku siç tha ai është diskutuar për mobilizimin e të gjitha strukturave të partisë për zgjedhjet e ardhshme nacionale, situatën politike në vend, zgjedhjet e brendshme të partisë dhe dhe draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Krasniqi tha se pas mbledhjes kanë miratuar edhe një deklaratë ku janë dakorduar që zgjedhjet e brendshme të partisë të mbahen pas atyre nacionale që do të mbahen në vend.
I pari i PDK-së tha se vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje të parakohshme, të cilat tha se i shohin si zgjidhje të vetme për situatën në të cilën ndodhet vendi.
“Patëm diskutime jashtëzakonisht cilësore, të hapura, përmbajtjesore dhe tepër të nevojshme për të trajtuar gjendjen në vend. Ne miratuam në përfundim të diskutimeve për tema të ndryshme përfshirë këtu edhe gjendjen aktuale politike, në mënyrë të veçantë për draftsatutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe por edhe çështje të tjera që ndërlidhen me mobilizimin e gjithmbarshëm të PDK-së si dhe zgjedhjet tona të brendshme. Miratuam një deklaratë politike. Unë jam i bindur që zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më parë. Qëndrimi i PDK ka qenë që jemi të gatshëm sa më herët të shkojmë dhe të shpërndajmë legjislaturën aktuale të Kuvendit dhe të rikthejmë verdiktin te qytetarët sepse unë jam i bindur që kryeministri Kurti e ka braktisur besimin që qytetarët ia kanë dhënë duke ndërmarrë veprime jo vetëm të gabuara por edhe të rrezikshme që kanë cënuar edhe sigurinë e vendit tonë edhe potencialin zhvillimor e integrues, por mbi të gjitha duke vështirësuar jetën e qytetarëve. Vetëm zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhje dhe PDK është e gatshme. I caktuam që zgjedhjet tona të brendshme do t’i mbajmë menjëherë pas mbajtjes së zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës”, tha Krasniqi para mediave.
Ai shtoi se qëndrimi i PDK-së është se draftsatuti aktual i Asociacionit është i papranueshëm dhe në kundërshtim me Kushtetuën. Krasniqi tha ky draft krijon një nivel të ri të ndërmjetëm të pushtetit duke i thënë Asociacionit kompetenca ekzekutive.
“Prej kur kemi marrë edhe tekstin e plotë të draftit të Asociacionit grupet e ekspertëve tanë dhe përfaqësuesit e PDK-së në departamentin për drejtësi kanë shqyrtuar në detaje tekstin dhe edhe në mbledhjet e kaluara të Kryesisë e edhe sot kemi ardhë në qëndrim zyrtar se drafti aktual është i papranueshëm për PDK-në. Ne nuk e mbështesim sepse rrezikon karakterin e shtetit të Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën tonë dhe si i tillë nëse do të miratohej, krijon një nivel të ri të ndërmjetëm të pushtetit sepse, Asociacionit i jep kompetenca të qarta ekzekutive. Kjo është e papranueshme për ne. Është në kundërshtim me qëllimet e shtetit tonë, me qëndrimet që i kemi pasur konsistente që nga viti 2013 dhe ne angazhohemi që të ketë një resetim të dialogut në mënyrë që të kthehemi aty ku edhe ka qenë edhe qëllimi ynë por edhe i partnerëve ndërkombëtarë që ndërkohë e kanë humbur ambicien që të kemi një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse që përqendrohet një njohjen reciproke”, tha Krasniqi.