Arrestimi i Solomonit u bë pas shumë vendimeve në gjykata

Arrestimi i Solomonit u bë pas shumë vendimeve në gjykata

Sulmuesi i Dukagjinit të Klinës, Theophilus Solomon, është arrestuar të dielën nga Policia e Kosovës dhe pritet shpejt të ekstradohet në Shqipëri.

Lajmi është konfirmuar për KOHËN nga Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë.

“Mund t’ju konfirmoj se një person, shtetas i huaj, i kërkuar nga Interpoli, konkretisht nga Republika e Shqipërisë, është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës”, ka thënë zëdhënësi Hoxha.

Të dielën Dukagjini kishte ndeshje për Kupë. Solomon ishte rezervist, ndërsa ka pasur raportime se ai u arrestua gjatë ndeshjes. Por klubi nga Klina ka mohuar se Solomoni është arrestuar gjatë ndeshjes.

Solomon është nga Nigeria, ndërsa e ka ende të hapur një rast për dhunë në familje sa ishte në Shqipëri.

Në fakt, është hera e dytë që Solomon arrestohet në Kosovë. Ai ishte arrestuar edhe në shkurt të vitit të kaluar sa ishte lojtar i Gjilanit.

Avokat mbrojtës, futbollisti nigerian e kishte Sevdail Robellin, zyrtarin e klubit Gjilani.

“Në shkurt të vitit 2023 Solomon u arrestua pas stërvitjes së Gjilanit dhe atij i ishte caktuar masa e paraburgimit prej 40 ditësh. I njëjti ishte arrestuar dhe paraburgosur sipas urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Shqipërisë për shkak se ka qenë i dënuar me 11 muaj burgim efektiv për veprën penale dhunë në familje. Për këtë vepër u dënua në mungesë”, ka thënë të dielën Robelli për KOHËN.

Robelli ka treguar se Solomonit i ishte ndërprerë masa e paraburgimit derisa ka qenë në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit.

“Më 30 mars 2023, Gjykata Themelore në Gjilan duke e aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan ka nxjerrë vendim për ekstradim. Ne kemi paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit në Prishtinë. Gjatë kësaj periudhe Solomon ka qëndruar në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit. Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e mbrojtjes e ka anuluar fillimisht vendimin për ekstradim të Gjykatës së Gjilanit dhe ka kërkuar që çështja të kthehet në rivendosje në Gjykatën e Gjilanit”, ka treguar Robelli.

“Derisa ka qenë në pritje të vendimit nga Gjykata e Apelit, Solomonit iu ndërpre masa e paraburgimit dhe i ishte zëvendësuar me masën e detyrimit të paraqitjes në stacion policor dy herë në javë. Këtë masë për dy muaj e ka zbatuar me përpikëri futbollisti. Pas dy muajsh nuk i është caktuar masë tjetër dhe i njëjti ka qenë plotësisht i lirë, pa asnjë detyrim ndaj organeve shtetërore. Më 19 korrik, Gjykata Themelore në Gjilan e ka refuzuar kërkesën për ekstradim, mirëpo Prokuroria Themelore e Gjilanit ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit e cila përsëri ka marrë vendim që çështja të kthehet në rivendosje”.

Robelli thotë se për herë të tretë, në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Gjilanit ka vendosur për ekstradim.

Në dy muajt e fundit Robelli nuk ka qenë avokat mbrojtës i Solomonit.

“Dhe siç duket tani Gjykata e Apelit e ka aprovuar vendimin për ekstradim. Ekstradimi do të bëhet vetëm nëse këtë e lejon ministrja e drejtësisë e Kosovës”, ka thënë Robelli.

Më herët për një rast në burg ka qenë edhe ish-sulmuesi tjetër i Dukagjinit dhe Prishtinës, Otto John.

Related Articles