Ishte i ftuar si emisar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi e çështje tjera për Ballkanin Perëndimor, por në Forumin Diplomatik në Antalia, Miroslav Lajçak, foli vetëm në cilësinë e të ngarkuarit për Ballkanin, raporton Gazeta Enigma.
Në panelin ku po diskutohej e ardhmja e Evropës, sllovaku Kosovën e përmendi vetëm në dy sekonda kur foli se ku qëndrojnë vendet e Ballkanit Perëndimor në raport me unionin. Përmendi faktin se Kosova ende nuk mund të lëvizë lirshëm.
Ky megjithatë Kosovën bashkë me pesë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor e sheh medoemos si pjesë të Evropës.
“Ne nuk u larguam. Amerika u tërhoq dhe u kthye mbrapa, por ne gjithnjë kemi qenë këtu, dhe çfarë dua të them është se nuk ka alternativë tjetër për BE-në veç ta ftojë rajonin t’i bashkohet BE-së dhe nuk shoh alternativë më të mirë as për ata përveçse të bëhen pjesë e familjes evropiane”, tha ai, njofton Klan Kosova.
Lajçak e pranon se Evropa e ka humbur kredibilitetin e saj, por thotë se po punon për zgjidhje.
“Viti 2020 ka qenë viti i vetëm, për sa e mbaj mend të paktën, që asnjë nga gjashtë shtetet nuk ka rritur asnjë progres, por këtë vit ne biseduam muajin që shkoi me Ministrin e Jashtëm të BE-së dhe gjithsecili në union po thotë se ne nuk mund të vazhdojmë më kështu, nuk po veprojmë si duhet dhe po e humbim kredibilitetin, dhe po e venitim entuziazmin pro evropian në rajon dhe duhet ta ndryshojmë mënyrën, por po përpiqemi ta gjejmë se si”, tha i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi e çështje tjera për Ballkanin.
Në këtë panel të Forumit Diplomatik të Antalias mori pjesë edhe ish-kryeministri rumun, Viktor Ponta, i cili tha fjalë të rënda për Bashkimin Evropian.
“Është turp, është gabim i madh, më lini të jap shembuj shumë konkret. Unë isha shumë i lumtur kur vizitova Beogradin dhe Tiranën, dhe jam një nga të paktët persona në botë që e ka shok edhe Vuçiqin edhe Ramën dhe mendoj se ata janë liderë të shkëlqyeshëm në Ballkan, dhe unë u thash që duhet të anëtarësoheni por Evropa gjithnjë po i ndryshon kushtet”, tha ai ndër të tjera.
Lajçak konfirmoi se me 6 tetor vendet anëtare të unionit do të mblidhen me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në një samit të përbashkët në Slloveni, pasi ky shtet merr edhe kryesimin e BE-së për gjashtë muajt e ardhshëm./Gazeta Enigma/