Katër grupet e trafikut të drogës të goditur të hënën pas një hetimi të përbashkët mes SPAK dhe Prokurorisë së Firences, jo vetëm janë dominuar nga shtetasit shqiptarë, por edhe drejtuar prej tyre.
Hetimi ku janë përdorur përgjimet ambientale e telefonike, por edhe të dhënat e SKY EÇ dhe ENCHROCHAT, i finalizuar me 67 të arrestuar në Shqipëri, Itali, Gjermani, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar hedh dritë mbi rolin e secilit prej tyre.
Për grupin e parë kriminal, hetuesit italianë cilësojnë Kledjon Muçollarin si organizator, koordinator dhe drejtues të aktivitetit të paligjshëm. Ai dyshohet se kujdesej për gjetjen e kokainës në Holandë dhe hashashit në Spanjë e Shqipëri, duke mbajtur kontakte me furnitorët, marrjen e saj, por edhe rishitjen.
Në territorin italian kontaktet me klientët e kokainës i mbante Ervis Vangjeli. Kristian Ibrahimaj ka pasur rolin e korrierit, ndërsa disa persona të tjerë, mes të cilëve Alban Mahilaj, Klaudia Sulejmani kanë vënë në dispozicion banesat e tyre, apo garazhe për mbajtjen e lëndës narkotike.
Në grupimin tjetër, Spiro Petro kishte rolin e organizatorit, gjetjen e hashashit dhe marijuanës në Shqipëri dhe koordinimin e korrierëve të drogës, që ishin dy shtetas italianë.
Sipas hetimit të përbashkët shqiptaro-italian, grupimi i tretë kriminal ishte i angazhuar në blerjen dhe zhvendosjen e sasive të mëdha të kokainës dhe hashashit duke përdorur automjete të modifikuara me dysheme të dyfishtë.
Në këtë grupim rolin e organizatorit e ka pasur Armand Meco. Ai dyshohet se gjente burime të kokainës në tregun ndërkombëtar e më pas ka koordinuar transportin. Bashkëpunëtor i ngushtë i tij ka qenë Fael Xhelili, që bënte edhe kontabilistin e grupit.
I dyshuari Erando Mara, sipas hetimit, kishte në ngarkim transportimin e kokainës nga Holanda e Gjermania në Itali, ndërsa Eraldo e Indrit Kolgjokaj furnizonin organizatën me automjete të modifikuara për transportimin e lëndës narkotike.
Ndërsa organizatori i grupimit të kartërt ishte Prelë Kolnikaj, i cili jo vetëm koordinonte dhe financonte, por edhe mbikëqyrte përgatitjen e grupeve për ngarkesat e mëvonshme. Bashkëpunëtorë të tij, sipas hetuesve, kanë qenë Rudina Macoraj dhe Lazër Pervataj./A2CNN