E dëmtuara A.B., gjatë seancës së enjte në Gjykatën Themelore të Pejës, ka rrëfyer momentin tragjik të natës ku ishte sulmuar autobusi në Gllogjan, me ç’rast kishin mbetur të vdekur tre persona.
Për këtë rast, Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj po akuzohen se më 26 nëntor 2021, të shtyrë nga hakmarrja e paskurpullt, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre fëmijë.
E dëmtuara B., tha se në natën kritike një person ka gjuajtur me A-47 në mes të rrugës drejt autobusit.
Ajo tha se në periudhën e shkollës së mesme kishte udhëtuar për në Gjakovë me autobusin “Erblini” dhe se shofer i atij autobusi kishte qenë tani i ndjeri G.Gj.
Ajo tha se nuk ishte në dijeni se tani i ndjeri Gj., të ketë pasur ndonjë konflikt apo të ketë kërcënuar dikë apo të jetë kërcënuar nga dikush. Sipas saj, shoferi kishte pasur sjellje normale dhe të mira me të gjithë.
“Shoferi është munduar ta largojë nga rruga, ai person ka qenë i dehur dhe nuk është largu, derisa shoferi është afruar në drejtim të tij pasi që e ka pa se ai nuk po largohet, shoferi e ka ndal autobusin dhe ai person është kthye dhe ka gjujt në drejtim të autobusit, pasi që ka gjujt në drejtim të autobusit është ndal dhe ka kalu te dritarja e shoferit dhe ka gjujt edhe aty dhe pastaj ai person është larguar”, tha dëshmitarja A.B.
Ajo tha se kishte qenë e ulur pas viktimës G., në karrigen e dytë, duke shtuar se ka pasur pamje përpara, mirëpo nuk ka mundur të sheh më shumë pasi që ka qenë edhe flaka e armës.
Dëshmitarja atë person tha se e ka parë kur janë afruar shumë afër tij prej 1 metër.
Sipas saj, ai kishte pasur të veshur çizme dhe xhaketë të gjatë me ngjyrë të zezë dhe në kokë kishte pasur kapele të zezë dhe se nuk ka vërejtur armë tek ai person.
“Si është ndal autobusi ai menjëherë ka fillu me gjujt dhe kur u kthy nuk e kam parë. Ai ka gjuajtur në drejtim të autobusit dhe të shoferit. Arma ka qenë kallash dhe i kafët”, tha dëshmitarja B.
Atë lloj arme tha se e kishte parë vetëm nëpër filma, e të shtënat e tij tha se kishin qenë rafal.
Sipas përshkrimit të saj, personi që e kishte parë kishte qenë me një gjatësi normale as i dobët dhe as i trashë, por që fytyrën e tij nuk ka mundur ta vërejë pasi që e kishte pasur të mbuluar me kapele.
Pas dëshmisë së dëshmitares B, kishte për t’u dëgjuar edhe një dëshmitare tjetër, por mbrojtësja e të akuzuarit Kastriot Mehmetaj, avokatja Kosovare Kelemendi, kërkoi mbylljen e seancës për shkaqe të mbrojtjes së jetës personale dhe private të të akuzuarve.
Më pas, trupi gjykues pas konsultimit e aprovoi propozimin e mbrojtëses Kelmendi që seanca të mbyllet konform nenit 296 dhe 289, par.3. pika 3.2, të KPRK-së.
Sipas aktakuzës së ngritur më 5 maj 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurit Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, ngarkohen se më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, saktësisht në rrugën “Ismajl Haradinaj”, të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre të cilët ishin fëmijë. /Betimi për Drejtësi/