Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe disa organizata të tjera kanë reaguar për ndërhyrjen politike në punën e Komisioni të Pavarur të Mediave.
Në një komunikate për media, thuhet se mbledhja e Komisionit Për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal është përcjellur me shqetësim të thellë, pasi mbledhja ishte ftuar nga katër deputetë të VV-së.
“Në këtë mbledhje të jashtëzakonshme nuk ishte përcaktuar agjenda e takimit dhe as nuk iu ishte komunikuar ndonjë agjendë anëtarëve të KPM-së, të cilët ishin ftuar në raportim, mediave, organizatave të shoqërisë civile dhe publikut të interesuar lidhur me monitorimin e kësaj mbledhjeje të Komisionit.”, thuhet në njoftim.
AGK dhe organizatat tjera kanë thënë se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për katër orë kanë ushtruar presion publik ndaj anëtarëve të KPM-së.
“Dëgjimi “mbikëqyrës” i deputetëve të Kuvendit të Kosovës i përcjellur me sulme dhe etiketime ndaj anëtarëve të KPM-së, përveç se ka shkelur pavarësinë institucionale, po ashtu ka cenuar edhe integritetin dhe dinjitetin personal të anëtarëve të këtij institucioni kushtetues. Kjo sjellje e partisë në pushtet prodhon mosbesim të qytetarëve në institucionet e pavarura dhe në punën e KPM-së.”.
“Dëgjimi “mbikëqyrës” ishte manifestim i drejtpërdrejtë i ndërhyrjes politike nga ana e LVV-së në pavarësinë e anëtarëve të KPM-së me qëllim të frikësimit të tyre, denigrimit publik dhe shtrimit të rrugës për shkarkimin e tyre. Kjo ndërhyrje duhet të shihet si sulm në pavarësinë e një institucioni që Kushtetuta e parasheh të jetë i pavarur dhe përgatitje e kapjes politike në tërësi nga ana e VV-së të këtij institucioni posa të kompletohet korniza ligjore që tashmë është në Kuvend.”, thuhet tutje.
Tutje, AGK ka ftuar deputetët e VV-së që t’i ndalin sulmet ndaj pavarësisë së këtij institucioni.