Një grup aktivistësh antifashistë evropianë kanë kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian ndaj emigracionit, dhe përkatësisht dhunën që refugjatët po kalojnë në vendet e Ballkanit. Aksioni i tyre u përqendrua në fundjavë në kufirin mes Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Aktivistët për të drejtat e njeriut denoncuan në fundjavë politikat e Bashkimit Evropian për emigracionin dhe dhunën që ushtrohet ndaj atyre që ndjekin rrugën ballkanike për në BE.
Pjesëtarë organizatash italiane, spanjolle, gjermane, franceze, austriake dhe sllovene udhëtuan të shtunën nga Italia për në kufirin mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Kroacisë.
Dy vendet e Ballkanit u veçuan në muajin prill nga Kombet e Bashkuara për keqtrajtimin dhe dëbimin me forcë të një grupi refugjatësh dhe azilkërkuesish.
Brazili kalon 500 mijë viktima nga COVID, protesta kundër presidentit Bolsonaro
Aktivistët mbanin në duar parulla me shkrimin “Ndal deportimet” dhe “Nuk ka njeri të paligjshëm” teksa parkuan makinat në kufi dhe lëshuan slogane kundër politikave të BE-së.
Bosnjë-Hercegovina në vitet e fundit raporton një fluks të rritur emigracioni, me gati 70 mijë hyrje që nga viti 2017, nga të cilët rreth 4 mijë të strehuar në godina të posaçme.
Refugjatët vijnë shumica nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia prej luftërave dhe varfërisë, nëpërmjet një korridori që nis me Turqinë, vijon në Greqi ose Bullgari dhe më pas në Maqedoninë e Veriut, në Serbi dhe në Bosnjë-Hercegovinë./Gazeta Enigma/