Senati italian i jep dritën jeshile marrëveshjes Rama-Meloni për emigrantët

Senati italian i jep dritën jeshile marrëveshjes Rama-Meloni për emigrantët

Senati Italian i dha miratimin përfundimtar ratifikimit të protokollit Itali-Shqipëri me 93 vota pro dhe 61 kundër.

Marrëveshja e mbështetur me forcë nga qeveria Meloni, shihet si pikë e rëndësishme e politikës së ekzekutivit të djathtë për emigrantët dhe parashikon krijimin e një kampi në portin e Shëngjinit dhe një qendër pritjeje në brendësi pranë Gjadrit.

Kjo marrëveshje e nënshkruar më 6 nëntor të vitit të kaluar në Romë, mes kryeministres italiane dhe atij shqiptar Edi Rama, përfshin emigrantët e nisur nga vendet e Afrikës veriore, të cilët kapen në det nga anijet e autoriteteve italiane dhe ngritjen e dy strukturave në fjalë: e para në Shëngjin ku do të kryhen procedurat e verifikimit të migrantëve dhe e dyta në Gjadër, ku ata do të mbahen të izoluar, deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit.

Teksti i ujdisë është kundërshtuar ashpër nga opozita, sipas së cilës projekti është rezultat i propagandës së qeverisë Meloni, “një iluzion” i cili rrezikon të cenojë të drejtat e njeriut të emigrantëve dhe që do të kushtojë rreth 650 milionë euro.

Shpenzimet ndërkohë do të mbulohen krejtësisht nga pala italiane.

Në fund të janarit, Gjykata Kushtetuese shqiptare doli në përfundimin se marrëveshja e emigrantëve “është në pajtim me Kushtetutën”, duke i hapur kështu rrugë ratifikimit të saj nga parlamenti.

Related Articles