Trajneri i Interit, Simone Inzaghi do të përballet me ish-bashkëlojtarin e tij, Diego Simeone kur skuadra italiane të luaj ndaj Atletico Madridit në Ligën e Kampionëve. Por Inzaghi nuk e di se çka të pres nga ekipi i paparashikueshëm spanjoll.
Interi e pret Atletico Madridin të martën nga ora 21:00 në ndeshjen e parë të një të tetës së finales së Championsit. Ndeshja e kthimit zhvillohet më 13 mars në Madrid.
Inzaghi dhe trajneri i Atletico Madridit, Simeone, ishin lojtarë të ekipit të Lazios që fitoi titullin e kampionit në Serie A dhe Kupën e Italisë në vitin 2000. Simeone është prej trajnerëve më të vlerësuar në botën e futbollit, ndërsa Inzaghi po bëhet gjithnjë e më i suksesshëm.
“Qartë se do të jetë kënaqësi ta shoh Diegon si kundërshtar sërish”, ka thënë Inzaghi në konferencë për shtyp, të hënën.
“Ai ishte bashkëlojtar i shkëlqyer. Kemi fituar në Romë me Lazion. Më pas ai shkoi tek Atletico, por asnjëherë nuk kemi humbur kontaktin. Ishte e qartë se do të jetë trajner i madh. Vetëm shikoni se çka ka arritur gjatë 13 vjetëve tek Atletico Madridi”, ka shtuar Inzaghi.
Atletico është në vendin e katërt në La Liga. Pas dy ndeshjeve pa fitore, skuadra e Simeones fitoi 5:0 ndaj Las Palmasit të shtunën.
Por trajneri italian është i brengosur pasi nuk e di se çka të pres nga ekipi spanjoll.
“Të parashikojmë se çka do të ndodhë të martën mbrëma nuk është e lehtë, duke parë që Atletico ka ndryshuar shumë në ndeshjen e fundit. E kam parë ndeshjen ndaj Las Palmasit dhe lojtarët e Atleticos ishin shumë agresivë”, ka thënë Inzaghi.
Sipas teknikut italian, Atletico ka luajtur më ndryshe në ndeshjen e kaluar për kupë. Inzaghi thotë se lojtarët e Atleticos driblojnë më shumë se në të kaluarën, janë shumë teknikë dhe kanë shumë cilësi.
Simeone, që luajti tek Interi para se t’i bashkohej Lazios, është trajner i Atleticos që nga viti 2011. Inzaghi po ka suksese me Interin, por e di që është e vështirë të qëndrojë në ndonjë klub italian për kohë kaq të gjatë. Ai thotë se për pak ditë opinioni i njerëzve ndryshon për trajnerët.
Interi është lider në Serie Am e 63 pikë, nëntë më shumë se Juventusi i vendit të dytë.
Në Champions, Atletico e kishte fituar grupin ku ishin edhe Lazio, Feyenoordi dhe Celticu. Kishte regjistruar katër fitore e dy barazime. Ndërkohë Interi u kualifikua si i dyti në grupin të cilin e fitoi Real Sociedadi. Në grup me Interin ishin edhe Benfica e Red Bull Salzburgu. Skuadra italiane kishte tri fitore e tri barazime në fazën grupore.
“Do të jetë ndeshje e shkëlqyer nesër mbrëma. Jemi plotësisht të fokusuar dhe na duhet një paraqitje shumë e mirë”, ka thënë sulmuesi i Interit, Marcus Thuram.
Argjentinasi Simeone ka luajtur për Interin nga viti 1997 deri në vitin 1999. Ai ka kujtimet më të mira nga koha tek Interi.
“Interi është në mesin e katër-pesë ekipeve më të mira në Evropë. Vendi i parë në ligë dëshmon këtë. Mënyra se si ka garuar me Manchester Cityn po ashtu. Më pëlqen mënyra se si luan Interi. Do të jetë ndeshje e dueleve. Ekipi që fiton më shumë duele do të jetë më afër fitores”, ka thënë Simeone në konferencën për shtyp.
Simeone ka folur edhe për Inzaghin. Ka thënë se me të kanë biseduar shumë për futbollin. Është i lumtur për sukseset e tij.
“Është trajner i madh. Menaxhon një grup lojtarësh që i përshtaten shumë”, ka shtuar Simeone.
Të martën prej orës 21:00 është edhe ndeshja PSV – Borussia Dortmund.
Skuadra gjermane nis fazën nokaut pas suksesit të madh në grupe. E fitoi grupin më të fortë, ku ishin edhe PSG-ja, Milani e Newcastle Unitedi. Ndërkohë, skuadra holandeze PSV Eindhoven ishte e dyta në grupin B. Këtë grup e fitoi Arsenali, ndërsa pas PSV-së mbetën Lensi e Sevilla.