Osmani: “Dinari” të zgjidhet në Kosovë, me aleatët

Osmani: “Dinari” të zgjidhet në Kosovë, me aleatët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas fjalës së saj në konferencën rajonale “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”, e cila ka nisur sot punimet në Kuvendin e Kosovës, sërish ka kërkuar që çështja e dinarit të zgjidhet në Kosovë.

Për mediat, ajo ka thënë se çështja e dinari nuk është dashur të shkaktonte përplasje mes Kosovës dhe aleatëve.

“Kjo çështje mund të zgjidhet këtu në Kosovë. Në fakt, nuk është dashur të bëhej çështje fare. Nuk është dashur të krijohet si përplasje me aleatët”, tha Osmani për media.

Osmani u kërkoi institucioneve kosovare të punojnë për zgjidhjen e kësaj çështjeje bazuar në ligjet në vend, por me mbështetjen e aleatëve.

“Jam e bindur se, nëse ka vullnet për një takim i cili mund të zgjasë vetëm disa orë, mund të ulen të gjitha institucionet që do ta zbatojnë në praktikë rregulloren e BQK-së dhe të dalin me hapa konkretë duke u bazuar në ligjet që ekzistojnë në Kosovë dhe ta marrin edhe mbështetjen e aleatëve për zbatimin e saj”, tha Osmani, raporton Radio Evropa e Lirë.

Të enjten, presidentja Osmani u takua me ambasadorin amerikan Hovenier për të biseduar për propozimet, që sipas saj, ofrojnë “një zgjidhje të qëndrueshme për planin e tranzicionit për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës”.

Related Articles