Astronomia nga Kosova, Pranvera Hyseni e cila jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka thënë se jo më larg se gjatë dekadës së ardhshme njerëzit do të shkelin për herë të parë në planetin Mars.
Ajo theksoi se nuk dyshonte aspak që hapi i parë në planetin Mars të jetë i pamundur.
“Ne vetëm e kemi shkel një tjetër trup qiell në vitet e 60’ta, Hënën, dhe po planifikojmë të shkelim prapë gjatë viteve të ardhshme me misionet hapësinore Artemis. Prandaj, nuk dyshoj aspak që hapi i parë në Mars të jetë i pamundur”, deklaroi ajo për Telegrafin.
“Shpejtësia me të cilën teknologjia po zhvillohet, jam e bindur që hapin e parë në Mars do ta shohim jo më larg se gjatë dekadës së ardhshme”, u përgjigj astronomia e pyetur se kur do të zbarkojnë njerëzit në Mars apo në orbitën e këtij planeti. Lexoni intervistën e plotë, këtu.
Njerëzimi kishte shkelur dekada më parë në Hënë, planeti Mars ka mbetur një ëndërr e parealizuar në mesin e shkencëtarëve, për shkak të atmosferës që përmban planeti duke e bërë kështu të pamundur zbarkimin e njerëzve atje.
Agjencia hapësinore amerikane NASA, ka dërguar përgjatë viteve një sërë sondash për të bërë studimet nga distanca si dhe për të gjetur një gjurmë të vetme, nëse ka pasur ndonjëherë jetë atje; deri më tani pa sukses.
Por, titani i teknologjisë, Elon Musk, njëherësh shefi i kompanisë me mision hapësinor SpaceX, synon me ngulm që të arrihet një ditë zbarkimi i parë i njerëzve në Mars.
Në vitin 2025, NASA me misionin e saj Artemis II synon që të çojë përsëri astronautët në Hënë për të zbarkuar në orbitën e satelitit tonë për herë të parë pas kaq shume dekadash.
Ndërkaq, në vitin 2026, në kuadër të misionit Artemis III, agjencia hapësinore amerikane pritet që të zbarkojë astronautët në sipërfaqen e Hënës pas gati më shumë se 50 vjetësh.