Kompani të ndryshme të Evropës kanë kthyer syt nga Kosova për të kërkuar puntorë të kualifikuar, raporton Gazeta “Enigma”.
Është rritur numri i punëdhënësve nga disa shtete në Evropë që përmes konkursve elektronike po kërkojnë punëtorë në vendin tonë.
Numri i shpalljes së konkurseve të punës nga kompanitë private dhe institucionet e ndryshme publike në Kosovë, po ashtu po shënon vazhdimisht rritje.
Kështu bënë të ditur themeluesi i platformës “KosovaJob”, Arion Rizaj, derisa thotë se pritet që vitet e ardhshme konkurrenca e aplikantëve të mos mbetet vetëm në suaza lokale. Ndërkaq, sociologë dhe njohës të burimeve njerëzore po konsiderojnë se shpallja e konkurseve përmes portaleve dhe webfaqeve të ndryshme e kanë përmirësuar dukshëm mënyrën e aplikimit për punë.
Përveç kësaj, Rizaj potencon se çdo herë e më shumë po rritet numri i konkurseve të shpallura nga kompani të shteteve të ndryshme të Evropës.
Ndërkaq, njohësi i burimeve njerëzore, Liridon Alidemaj për KosovaPress thotë se pjesa më e madhe e konkurseve vjen nga sektori privat.
Alidemaj thekson se shpallja e konkurseve përmes portaleve dhe webfaqeve të ndryshme e kanë përmirësuar situatën me punësim, ngase sipas tij falë teknologjisë dhe rrjeteve sociale njerëzit kanë mundësi shumë më lehtë të aplikojnë për një vend pune.
Ndërsa, sociologia Dhurata Prokshi thekson se pavarësisht rritjes së numrit të shpalljes së konkurseve, sektori privat ende vazhdon të ngec në përmirësimin e kushteve të punës, ngritjes së standardeve dhe zbatimin e kontratave për të drejtat e punëtorëve.
Viteve të fundit, tregu i Kosovës është përballur me mungesa punëtorësh, sidomos sektori privat.