Një vetaksident ka ndodhur në rrugën Prizren-Reçan, ku një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër i lënduar, raporton Gazeta “Enigma”.
Lajmin për Gazetën “Enigma” e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Bytyqi tregoi se deri te aksidenti ka ardhur pasi shoferi ka humbur kontrollin dhe ka rënë në lugun e lumit, ku automjeti ka rënë nga një lartësi përafërsisht 10 metra.
“Me datë 06.03.2024 rreth orës 15:40 është raportuar për një vetaksident trafiku në rrugën Prizren-Reqan me pasoja fatale. Deri te aksidenti ka ardhur kur ngasësi (F.M. I lindur me 1954 , mashkull) nga fshati Llokvicë, Prizren, derisa ishte drejtuar automjetin humbë kontrollin e automjetit dhe kalon në anën e majtë të rrugës ,e godet anësoren dhe bie poshtë në lugun e lumit, automjeti bie nga lartësi përafërsisht 10 metra”, u shpreh Bytyqi.
“Si pasojë e aksidentit ngasësi mbetet i vdekur në vend, ndërsa pasagjerja (E.M. e lindur më 1957 ) pëson lëndime trupore, ajo është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren dhe pas tretmanit mjekësor është liruar”.
Ai theksoi se në konsultim me prokurorin kujdestar trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.