Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka arrestuar një person i cili dyshohet se ka kryer disa vjedhje në kryeqytet, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas burimeve të Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për 20-vjeçarin Leon Vitia, i cili ishte arrestuar edhe para disa muajsh.
Vitia po dyshohet për tri raste te vjedhjeve që kanë ndodhur brenda 3 muajve, në dy hotele në Prishtinë dhe në një parking – ku në të tri rastet ka arritur të vjedhë para të gatshme.
Të shtunën i njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.