Behrami: Te Zvicra mungon dikush që e kundërshton Granit Xhakën

Behrami: Te Zvicra mungon dikush që e kundërshton Granit Xhakën

Valon Behrami beson se Përfaqësuesja e Zvicrës ka gjasa të mira në Kampionatin Evropian që këtë verë mbahet në Gjermani. Por legjenda e Zvicrës thotë se duhet ndryshuar disa gjëra që Zvicra të ketë sukses në Evropian.

Ai u ka bërë thirrje lojtarëve kryesorë të përfaqësues të marrin përgjegjësi më shumë. Gjatë intervistës dhënë për “Blick”, Behrami ka thënë se te Zvicra mungon dikush që e kundërshton kapitenin Granit Xhaka.

“Lojtarët e tjerë duhet të marrin gjithashtu hapësirën. Përshtypja ime është se mungon dikush që mund t’i kundërvihet Granitit. Ai ka nevojë për atë fërkim. Në një ekip konkurrues nuk mund të bësh pa të, kështu ishte edhe me ne në të kaluarën. Stephan Lichtsteiner dhe unë patëm diskutime të vazhdueshme, por kjo e bëri grupin më të fortë”, ka thënë Behrami.

Behrami 38-vjeçar është pensionuar nga futbolli, ndërsa për Zvicrën ka luajtur 83 ndeshje. Ai ka luajtur për shumë vjet përkrah Xhakës në qendër të mesfushës.

Behrami ka theksuar se në profesionalizëm kërkohet edhe luftë e brendshme. Ka marrë për shembull rastin e tij me ish-kapitenin e Zvicrës, Lichtsteiner.

“Ndonjëherë ishte vetëm një diskutim në stërvitje nëse ishte faull apo jo. Në futbollin profesionist duhet të luftosh gjithmonë. Përndryshe nuk do të shkoni më tej, do të jeni një ekip i mirë që luan futboll të bukur. Por nuk fitoni asgjë. Kur mendoj për Lichtsteinerin, mendoj për një konkurrent të madh. Kur shohim njëri-tjetrin është gjithmonë shumë i respektueshëm. Këto janë kujtime të bukura”.

I pyetur se nga kush duhet të kundërshtohet Xhaka, Behrami ka përmendur disa emra që kanë rol të madh te Zvicra.

“Akanji, Sommer, Freuler ose Rodriguezi. Akanji është në ekip të madh, te Manchester City. Një lojtar i madh. Ai ka edhe më shumë peshë në përfaqësuese dhe duhet ta marrë përsipër këtë përgjegjësi”, është shprehur Behrami.

Behrami ka bërë karrierë të madhe si futbollist. Ka luajtur 259 ndeshje në Serie A, 106 në Premier League, 22 në Bundesligë e dhjetë në Ligën e Kampionëve.

Ai ka kritikuar ndërhyrjen e Granit Xhakës pas kritikave që kanë marrë vëllai i tij Taulanti dhe skuadra e Baselit.

Behrami është i mendimit që Graniti është dashur të qëndroj i distancuar nga ai debat.

“Nuk mund të bëjë këtë si lojtar i përfaqësueses dhe si kapiten i përfaqësueses. Sigurisht që jo. Mos më keqkuptoni, mendoj se është mirë kur lojtarët tregojnë karakter. Që kur kam filluar të punoj në TV e di sa e vështirë është të marrësh intervista të mira dhe interesante. Graniti më pëlqen si djalë. Por këto nuk janë vlerat për të cilat duhet të njihet përfaqësuesja”, ka thënë Behrami.

Behrami lë anash kritikat dhe thotë se Zvicra mund të ketë paraqitje të mirë në Evropian.

Zvicra në kualifikime përfundoi e dyta në Grupin I. Pati 17 pikë, ndërsa Rumania siguroi Evropianin si e para me 22 pikë.

Related Articles