Kryeministri Albin Kurti ka qenë i ftuar në një podcast “The Rest is Politics” me Rory Stewart dhe Alastair Campbell. Stewart një ish – diplomat në rajon që thotë se e ka takuar Kurtin para 20 vitesh, ndërsa Campbell, ish – këshilltar dhe strateg i komunikimt të Tony Blair, gjatë kohës sa ky i fundit ka qenë kryeministër.
Campbell më vonë bashkë me ish -shefin e tij kanë ardhur në rajonin e Ballkanit si konsulentë të Edi Ramës e Aleksandar Vuçiqit, ndërkohë që këtë e kanë bërë edhe për qeveri tjera në botë.
Kurti aty ka rrëfyer për kohën e kaluar në burg në Serbi pasi ishte arrestuar gjatë kohës së bombardimeve në Kosovë nga policia e Serbisë.
“Në burg ka kohë për lexim. Është vend tamam për të lexuar, pa telefona mobilë, pa pije dhe mendoj se kam pasur dobi prej kësaj. Në të njëjtën kohë, të jesh një person i klasës së mesme, urban… unë aty takoja njerëz që vinin nga fshatrat dhe kjo ka qenë e pazëvendësueshme për aftësinë time për të organizuar njerëz kur kam dalë jashtë. Kur kam dalë nga burgu e krijova organizatën saktësisht sepse dija se si të flas dhe si të lidhem me njerëz nga fshati”
Kurti u ka shpjeguar intervistuesve britanikë se në burg kishte humbur rreth 30 kilogramë dhe se nga torturat aty e kishte humbur vetëdijen rreth 40 herë dhe se s’e kishte menduar kurrë se do të dilte i gjallë nga aty.