Kosova U19 e nisi me fitore aventurën e saj në ‘’Elite Round’’ për kualifikim në Kampionatin Evropian që organizohet në këtë verë.
Kosova triumfoi 1:0 ndaj Austrisë. E i lumtur me fitoren ka qenë pas ndeshjes selektori i grupmoshës U19 të Kosovës, Adil Maliqi.
“Jam shumë i lumtur për fitoren unë stafi dhe të gjithë futbollistët. E kemi merituar këtë fitore sepse kemi luajtur me pasion dhe me zemër. Nuk isha shumë i kënaqur me performancën por kjo vjen si pasojë e vetëm një stërvitjeje të zhvilluar. Pres që kundër Spanjës performanca do të jetë shumë më e mirë se ajo ndaj Austrisë. E rëndësishme është se ne i arkëtuam tre pikë. Mendoj se e merituam fitoren pavarësisht se Austria krijoi më shumë raste se sa ne. Ne dhamë gjithçka dhe e arritëm qëllimin”, tha ai.
Dardanët pas xhiros së parë janë lider me 3 pikë, ndërsa Spanja dhe Sllovenia kanë nga 1 pikë. Austria mbetet e fundit pa pikë.