Kapiteni Luka Modriq ka udhëhequr Kroacinë drejt fitores ndaj Skocisë, të martën mbrëma në “Hampden Park” në Glasgow.
Me fitoren 3:1, Kroacia është kualifikuar në fazën nokaut të Euro 2020. Madje kroatët janë kualifikuar nga pozita e dytë e grupit D.
Kroacia ka 4 pikë, sa edhe Çekia. Por për shkak të numrit më të madh të golave të shënuar, Kroacia renditet e dyta ndërsa Çekia e treta. Çekia e Anglia më herët kishin siguruar kualifikimin. Fituesi i ndeshjes mes Kroacisë dhe Skocisë u bashkohej atyre. Kroatët te fitorja erdhën në pjesën e dytë, falë shkëlqimit të Modriqit. Ai shënoi për 2:1 në minutën e 62-të me goditje të bukur nga distanca.
Në minutën e 77-të mesfushori i Real Madridit asistoi për Ivan Perishiqin që shënoi për 3:1. Modriq krosoi nga këndi, ndërsa Perishiq u shkëput në zonë. Kroacia kishte kaluar në avantazh edhe në fillim të ndeshjes. Nikola Vlashiq kishte shënuar në minutën e 17-të me asistim të Perishiqit. Por skocezët barazuan shifrat në minutën e 42-të nëpërmjet Callum McGregor. Kjo solli gëzim e festë në stadiumin në Glasgow. Tifozët skocezë ishin të entuziazmuar pas barazimit pa gola ndaj Anglisë dhe kanë pritur fitore ndaj kroatëve për festë më të madhe. Por cilësia e lojtarëve kryesorë të Kroacisë e bëri dallimin. Kroacia është nënkampione e botës dhe është përballur me kritika të mëdha pas paraqitjeve të zbehta në dy ndeshjet e para.