Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë sot se raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka “fyer” Serbinë me një mesazh të publikuar në platformën X, se Serbia po bën blof duke kërcënuar se do të largohet.
“Kush dhe çfarë i jep të drejtën Viola von Cramon të ofendojë Serbinë, Presidentin (Serbisë) Aleksandar Vuçiq dhe popullin serb”, tha Daçiq, duke shtuar se “askush nuk e vë në dyshim atë dhe askush nuk e kritikon”.
Sipas tij, pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte precedent dhe shkelje e rëndë e parimeve mbi të cilat mbështetet Këshilli i Evropës.
“Na kanë gënjyer se kusht për Kosovën do të jetë formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe në vend që të dënohet Prishtina, tash duhet të shpërblehet me pranim në Këshillin e Evropës”, tha Daçiq.
Vuçiq tha dje se Kosova me siguri do të pranohet në Këshillin e Evropës dhe se një nga mundësitë është që Serbia të largohet nga ai organ pas kësaj.
“Do ta kemi të vështirë ta parandalojmë këtë, sepse ata e morën atë vendim”, tha Vuçiq dje për televizionin Prva dhe shtoi se do të shohë “nëse Serbia do të mbetet apo jo në Këshillin e Evropës”.