Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Robert Wood, ka thënë bombardimi i caqeve ushtarake dhe policore serbe në ish-Republikën Federale të Jugosllavisë nga NATO-ja, ishte i domosdoshëm për ta ndalur gjenocidin në Kosovë.
“SHBA-ja nuk ka asgjë për të fshehur për sa i përket mbështetjes së saj për operacionin e forcave aleate të vitit 1999, veprimet kanë qenë të domosdoshme, legjitime për ta ndalur spastrimin etnik në Kosovë”, tha Wood.
Diplomati amerikan këto komenti i bëri pas një votimi procedural të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i cili nuk ka miratuar agjendën e përkohshme të rendit të ditës, ku ishte kërkesa e delegacionit të Rusisë për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme për Kosovën.
Sipas tij, SHBA-ja vendosi kësaj radhe për të abstenuar shkaku i qasjes së Rusisë, derisa shtoi se “mbështesim takim në formatin e duhur, që adreson çështjen e atij viti”.
“S’mund të mbështesim seancë që në mënyrë flagrante instrumentalizon ngjarjet e një shekulli më parë. Fakti që Rusia shpreh kundërshtimin për pjesëmarrjen e Kosovës këtu sot, tregon për qëllimet e saj. Takimi që kërkoi Rusia nuk ka të bëjë me Këshillin, janë përpjekje të Kremlinit për të minuar stabilitetin në Ballkan e për të shfrytëzuar Këshillin për propagandë të saj”, potencoi ai.
Po ashtu, Wood theksoi tutje se është për keqardhje që Federata Ruse ia humbi kohën këtij Këshilli.
“Kjo ka të bëjë me qasjen e Federatës Ruse se është ose sipas rrugës sime ose fare. Këshilli nuk funksionon kështu”, nënvizoi ai.