Lautaro Martinez iu kundërpërgjigj ekspertit të “Sky Sport Italia”, Alessandro Costacurta, i cili e kritikoi se “ai nuk jep rezultate në ndeshjet e mëdha dhe përsërit se dëshiron të ‘bëjë histori’ në Inter”.
Kritikat nga ish-mbrojtësi i Milanit erdhën pas humbjes së penalltisë nga sulmuesi argjentinas në ndeshjen ndaj Atletico Madridit në Ligën e Kampionëve, me ç’rast “Nerazzurrët” edhe u eliminuan nga kjo garë.
Kritikave iu kundërpërgjigj së fundmi Lautaro, duke i cilësuar si të pasakta pretendimet e Costacurtas.
“Ajo që tha Costacurta nuk është e vërtetë. Duke shënuar një gol në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve kundër Milanit, një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e të dy klubeve… ai nuk e llogariti këtë”, tha kapiteni i Interit për “TyC Sports”.
“Do ta ftoja që të kthehej dhe ta shikonte sërish atë gol. Jo vetëm kaq, por edhe shumë ndeshje të tjera të mëdha ku kam luajtur”, shtoi ai.
Lautaro Martinez në bisedime për një kontratë të re me gjigantin italian dhe la të nënkuptohet se nuk e mendon fare një largim të mundshëm nga “Guiseppe Meazza”.
“Po përjetoj një moment të mrekullueshëm te Interi. E vërteta është se nuk e imagjinoja karrierën time të tillë, veçanërisht duke marrë parasysh historinë e lojtarëve argjentinas te Interi. Në vend të kësaj, unë pata këtë mundësi të mrekullueshme dhe jam në Inter që gjashtë vjet. Është shumë e rëndësishme për mua të shkruaj histori me këtë klub dhe të thyej rekorde. Vazhdoj të punoj ditë pas dite dhe shpresoj të vazhdoj këtë rrugëtim për t’u dhënë gëzim fansave, pasi që në momentin e parë më bënë një pritje të jashtëzakonshme. Mundohem të jap gjithçka në fushë, kjo është puna ime”, deklaroi 26-vjeçari.
Lautaro Martinez me Interin ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2026.