Opinionistja e njohur Kimete Berisha ka thënë se Albin Kurti është një i vetmuar i cili shërben si mburojë e padijes së ministrave e hajnave që vjedhin në emër të tij.
Sipas Berishës, Vetëvendosje është askushi nëse hiqet Albin Kurti prej saj.
Më poshtë lexoni shkrimin e saj të plotë [pa ndërhyrje]:
Askush më i vetmuar se Albin Kurti!
1. Kryeministri Kurti është mburojë e padijes së ministreshave të tij,
mburojë e hajnave që vjedhin në emër të tij,
mburojë e ekstremistëve, si Eman Rrahmani që merret me dilema gjinekologjike dhe me teste të shtatzënisë: kush duhet të lind e kush jo.
2. Albin Kurti është mburojë e të gjithë llaskuçëve dhe…mburojë e të gjitha kontradiktave që ekzistojnë.
– Nuk është mburojë e Mimoza Lilës, sepse ajo i ka komunistët e saj personal, mbetjet e Fadil Hoxhës, që ende kujtojnë se Gjakova është qytet…
3. Është vetëm.
I vetmuar.
Sepse…
Nuk ka Vetëvendosje, nuk ka qeveri, nuk është askush.
Nuk ekziston një i vetëm që ka autoritet, askush afër tij që ka personalitet dhe individualitet, përveç Albin Kurti.
4. ‘Hiqeni’ Albin Kurtin nga Vetëvendosja, dhe shih kush mbetet!
Askush.
Asnjë.
Janë tufa të uritura për torte, burra e gra që rrinë ëmbëltoreve, të uritur për mish gjysmë të pjekur dhe ah, shqiptarët e kanë zbuluar së fundi edhe salmonin..
Janë këshilltare që gjatë orarit të punës pinë birra mejhaneve nën qiellin e hapur dhe nga qejfi qeshin me zë duke treguar barcoleta rreth ushkurit…
– Janë të pangopur dhe të varfër në
shpirt…derisa të ngihen.
5. E, pangopësinë duhet ta lësh të
‘vdes’ urie, se sa më shumë që ha, aq më shumë untohesh.
6. Kur e ke Albin Kurtin, kollaj, ti i lëshon edhe thonjtë e gjatë si shtrigë, spitulllohesh dhe e
shndërron Ministrinë e Drejtësisë në sallon të frizerkave.
Albin Kurti ta mbulon ty edhe fustanin livojzin dhe darkat në restorante të ‘jakave të bardha’.
Kur e ke Albin Kurtin ti ke luks t’i lejosh’ të ti vjedhin edhe dëshmitë e krimeve dhe vazhdon jetën qetë, sikur s’ka ndodhur asgjë.
– As babai i viktimës s’hidhërohet me ty, hatri i Albin Kurtit.
7. Vetëvendosje e ka veç një kapital dhe ai është Albin Kurti, prandaj është kollaj ta mundësh Albin Kurtin, veç po përtoj…
8. Nëse është një ministër që ka dështuar komplet dhe që nuk e ka kryer asnjë punë, përveç që u ka dhënë kontribut butiqeve dhe kozmetikave, nga jadrankat e zhagëzat ka kaluar në stileto, kjo është Albulena Haxhiu.
Veç tregoma ti mua një punë që e ka kryer Albulena Haxhiu.
Veç një.
– Asnjë. Hiç.
I vetmi ndryshim që ka sjellur janë shishkat.
Lëre që nuk ndjen që ka dështuar, por e sfidon opozitën, ‘kur të doni’, u thotë, ‘nëse doni këtë të diele shkojmë në zgjedhje’.
– Bëhet cinike halli i saj, sepse e ka Albin Kurtin që ia paguan cinizmin.
9. Për dështime, askush nuk i afrohet Albulena Haxhiut, e cila në fillim të mandatit protestonte baras me popullin kundër ministrisë që e udhëheq….
ama ministri Vitija është dështimi i dytë më i madhi i Albin Kurtit.
Shqiptarët s’kanë Institucione shëndetësore, shërohen njësoj si para luftës, nga solidariteti dhe shoqatat humanitare.
– S’di qysh nuk të vjen turp të shkosh në
zyre.
– S’e dëgjon ti vajin e shqiptarëve që qajnë…
– S’e di ti që gruaja e varfër vdiq sepse s’kishte pare ta blinte një damar të zemrës;
– Nuk i dëgjon ti rënkimet e atyre që presin në kolonë të pafund, me vite presin t’u vijë rendi të shërohen!
– Nuk e sheh ti që gjëma e njërit pacient e mund gjëmën e tjetrit, shqiptarë që dergjen në grup në një dhomë të ngushtë, në shtretërit me tri këmbë, nën çatinë ku vajtojnë korbat.
– S’e di ti se kolonat në pritje për t’u shëruar janë kolona të vdekjes!
– S’të vjen keq ty që nuk e kryen asnjë punë!
Se të blesh maska luksoze gjatë pandemisë, 20 euro copa, dije boll mirë.
Ti as nuk merresh me shëndetësi, kurrë s’të shohim, kurrë s’të dëgjojmë, sepse e ke mburojë Albin Kurtin, i cili ta mbulon turpin.
10. Vuajtja e shqiptarëve nuk ka privatësi.
(Pas sulmit në Prekaz, më 1998, një grua, të cilës policia serbe ia mbytën djalin dhe ia dogjën shtëpinë, kur e intervistova, më tha:
– S’do të doja gjë tjetër veçse të kem një dhomë ku do të mund të qaja shlirë…
Se, në shtëpi të huaj, nuk mund të vuash siç ta lyp shpirti ty!
11. Dështim të tretë nuk mund ta quaj Arbërie Nagavcin, sepse nuk besoj fare në sistemin arsimor…
të detyrojnë të lexosh vjersha primitive të atyre ‘shkrimtarëve’ që kanë hyrë në libra me pare, me jarana dhe me klane…
– Jo nxënësi por edhe kali bie në depresion nga shëmtia e artit të tyre.
Besoj vetëm në një mënyrë të të mësuarit – ji autodidakt.
12. Dështim i tretë nuk mund ta quaj as atë graxhankën, Artane Rizvanollin, sepse në qeverinë Kurti kemi pasur rrymë pandërprerë dhe rryma ka qenë dyfish më lirë se përpara.
Ajo i ka pasur disa ide me çebe e me klima, që i kanë zëvendësuar antenat satelitore. S’ke pse del në ballkon, sepse gjithmonë të pikon mbi kokë nga klima në katin përmbi.
13. Dështim të tretë nuk mund ta quaj as Xhelal Sveçlën, jo veç pse menjëherë ka reaguar kur më kanë pas kërcënuar me jetë, dhe policia (faleminderit prej tyre) më kanë ofruar mbrojtje.
Por, po vërej përmirësim të komunikimit të policëve, që deri dje kur të ndalonin në rrugë, të pyesnin: ku po shkon; çka jeni ndër vete me bashkëudhëtarin; a je e martuar; dhe, pse s’je e martuar.
– Sveçla i ka bërë disa punë të pabesueshme dhe të paarritshme në Veri.
14. Dështim i tretë është Rozeta Hajdari, por Albin Kurtit i duket ‘grua e mirë’. Rezertat shtetërore janë vjedhur në emër të bukës.
– Zyrtari që e ka sinjalizuar vjedhjen, është larguar nga puna.
Kjo është e tmerrshme, e neveritshme.
Kjo është Rozeta Hajdari, të cilës Albin Kurti ia fshinë troshat.
Pse?
Nuk e kuptoj!
A e rrezikon njeriu nornal karrierën e vet për Rozeta Hajdarin!
Nëse po, pse!
15. Albin Kurtit i vjen inat ta pranojë që ‘njerëzit e tij’ janë kriminelë dhe hajna, prandaj i mbron, si ai prindi i keq që për të mbrojtur fëmijët e tij të lazdruar, hyn në bela me komshinjtë…pastaj vjen dita që ‘fëmija’ e rrah edhe atë.
16. Derisa Albin Kurti ka luftuar për ta bindur botën se është i ditur dhe intelektual (e ka kompleks t’ia pranojnë dijen),
disa ministra të tij janë pasuruar, kanë vjedhur të gjalltë e të vdekurit…
shumica kanë shtuar peshë; takimet zyrtare janë mbajtur nëpër hotele me dritare kthyer kah liqeni, e në mungesë të liqenit, kryen punë edhe mali!
17. Asgjë nuk ka ndryshuar.
Në të kaluarën me tatimet tona, disa zyrtare të qeverisë i kanë zvogëluar hundët (në emër të sinusit), e tash mbushen botox dhe burrat vjedhin edhe më shumë tash , sepse sa më shumë buxhet, aq më e madhe vjedhja.
18. E kam thënë por ju nuk po më besoni, se nuk është problem qeverisja, kë duash zgjedhe, gjithmonë do të jetë njësoj: korrupsion, pabarazi, padrejtësi…
– Sepse, mentaliteti ka faj, është popull i varfër në shpirt, grabitës, që lulja kur nuk i dhurohet, e shkul me rrënjë.
19. Pas luftës kërrsh janë bërë shqiptarët mes vete për ‘ndarjen e Lirisë’.
Serbia e ka për qëllim ndarjen e Kosovës, kurse shqiptarët pas luftës e kanë ndarë pasurinë e Kosovës mes vete.
– Politikan të varfër, a njeh?
20. Jo veç buxhetin e Kosovës, pas luftës politikanët shqiptarë e kanë korruptuar krejt botën:
drejtësinë e UNMIK-ut, drejtësinë e EULEX-it, s’kanë lënë kënd pa korruptuar…
bile bile ‘artistët’ shqiptarë tash e sa vite po e korruptojnë edhe Serbinë.
Marrin pare nga Serbia, për ‘pajtime të rrejshme ndëretnike’, aktivitete që as s’i shikon kush, as s’i merr kush seriozisht, as nuk kanë asnjë vlerë.
– Se sikur ta ndalonte luftën ‘shfaqja e keqe teatrale’, nuk do të kishte ekzistuar lufta.
– Ata e dinë, ne e dimë, të
gjithë e dinë, që paratë në emër të ‘pajtimit ndëretnik’ vjedhen.
– Se, zemra nuk fal.
Veç drejtësia do ta qetësonte këtë zemër që digjet flakë!
21. E Teatrit i janë fikur dritat.
– Kur i shikon ‘çmimet e teatrit’, e sheh se juria e shpërblen me çmim shfaqjen që nuk e ka parë.
Paramendoje sikur ta kishte parë shfaqjen çka do t’i jepnin…
– Dhe, në terrin e plotë të sallës së improvizuar, në teatrin me perde të zeza, duket sikur çmimet dalin nga errësira, dhe shihen vetëm fytyrat e ‘fituesëve’ që as nuk gëzohen, sepse të gjithë janë shokë mes vete dhe çmimet i marrin me rend:
– unë ty sivjet, ti mua ma jep vitin e ardhshëm.
Sivjet ia jep koliqi – morinës, vitin e ardhshëm morina ia jep koliqit.
– Klani i teatrit është mafia më primitive që ka ekzistuar deri tash.
Asnjëri nuk dallohet nga tjetri për talent…
Ata rriten dhe shpërblehen në terr.
Por e dinë që shfaqjet nuk ua pëlqen kush.
– Teatrin nuk e kemi sepse s’kemi nevojë për të.
Nga ndërtesa ka zbritur në rrugë dhe tash Teatri Kombëtar konkuron me teatrot e qyteteve dhe katundeve…
Nuk del përtej provincializmit shqiptar.
– Ngjitja dryrin.
22. E Hekuran Muratin nuk po ia nguc Albiniit, sepse Hekurani nuk e provokon askënd pa qenë i provokuar.
Është defenziv, sinqerisht dhe kategorikisht nuk e pranon kritikën, ama nuk ka sevda (si Albulena) të grindet për qejfi…dhe të fyej.
23. Opozita nuk është e rritur në mënyrë artificiale, është e vogël por e vërtetë, ndërsa Vetëvendosja është e madhe në mënyrë artificiale, se në fakt veç Albin Kurti e mbulon vogëlsinë e Vetëvendosjes, që, pa të, do të ishte vetëm një OJQ që merr pare nga shteti për të punuar kundër shtetit.
P.S. Më ka marrë malli me pi nga një gotë dardhe me ty, dhe unë me fol për Hashim Thaçin…
e ti me m’dëgju, pa më ndërpre’, qysh e ke pasur zanat.
Unë me të thënë: bëhu vetjak, hiqu shqiptarëve…se askushi s’janë…s’e sheh ti, Hashimi u harrua për së
gjalli e s’mërzitet kush për të…
– e ti të mos ma kthesh fjalën, të më thuash si gjithmonë, po, mirë e ke.
– Më ka marrë malli të ulemi ballë për ballë e të flasim për vetminë time të rrejshme, të krijuar nga filmi e nga poezia.
– Të të tregoj ty se si një ditë njëri më tha: Kur ti lexoj shkrimet, duket sikur vuan shumë, dhe prekem, por kur të takoj gjithmonë të shoh të lumtur (demek po ‘rrej’ unë)!
– Se kjo vetmia ime është higjiena ime shpirtërore, sepse shpirti pastrohet veç në heshtje dhe në vetmi.
Aty jam, siç më ke parë për herë të fundit: më e hollë, më e qetë, cigare nuk pi, raki nuk pi, ilaçe të shpirtit nuk pi, askënd nuk e pres të vijë, s’të pres as ty.
– Nuk kërkoj qetësi…se e kam kuptuar se qetësia nuk ekziston.
– E pamundur pa ta përmendur Ibrahim Rugovën, që e kishe shok, e mua më pëlqente të ta ngacmoja.
Kur mërziteshe që të shkelte politika e njëjta për ty, si në robëri – si në liri, thoje:
– Të gjithë shokët e mi kanë vdekur: Jusufi, Ibrahimi, Arbëri…mua më lanë vetëm…
– Kur të thoja: paramendoje sa i mençur ka qenë Ibrahim Rugova, kurrë asgjë nuk ka blerë, çdo gjë i është dhuruar.
– Dhe, kurrë asnjë fjali të plotë nuk e ka thënë, por ngjehet më i mençuri!
– Nuk e ka ditur sa kushton një pako cigare, anipse 5 pako i ka pirë në ditë.
– Më ka marrë malli të protestoj me këngë, siç e kam zanat, kur injoroj, nuk hesht, por këndoj!
– Dhe, pastaj ti vdiqe edhe vet, dhe kështu mori fund ciklii i vuajtjes: nuk e kam më asnjë shok që do ta kisha lënë keq.