Ndihmës Sekretari amerikan të Shtetit, James O’Brien, ka thënë se sot ka pasur një bisedë të mirë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke përmendur edhe obligimet e Kosovës që dalin nga zotimet në dialogun me Serbinë.
O’Brien, përmes një postimi në platformën X, ka thënë se me presidenten Osmani kanë biseduar edhe për përmbushjen e zotimeve që dalin nga dialogu me Serbinë
“Një bisedë e mirë sot me Presidenten e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani. Ne diskutuam rëndësinë e zbatimit të rregullave monetare nga Republika e Kosovës në mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë komunitetin e pakicës serbe, dhe që palët të përmbushin të gjitha zotimet nga dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, për Kosovën kjo përfshinë Asociacionin”, ka shkruar O’Brien.
Edhe presidentja Osmani, e quajtur produktive bisedën telefonike me Ndihmës Sekretarin amerikan, O’Brien, duke thëns se kanë diskutuar hapat e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ku Kosova ka aplikuar në vitin 2022.
Në një postim në X ajo gjithashtu bëri të ditur se kanë biseduar në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Theksova rëndësinë themelore të punës së bashku me aleatët tanë të SHBA-së në mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë”, shkroi Osmani.
Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, më 27 mars ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Hapi i radhës, sipas këtij komiteti, do të jetë më 18 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte katalizator që “Kosova të vazhdonte të bënte përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit si dhe të adresojë sfidat dhe çështjet shqetësuese”, tha Komiteti për Politikë dhe Demokraci.