Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka publikuar dokumentet e listave të pasurisë së konfiskuara të Milan Radojçiqit.
Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Haxhiu ka shkruar se epoka e Radojçiqit ka marrë fund.
Ajo ka theksuar se Radojçiqi vet është bërë milioner derisa qytetarët e komunitetit serb i ka përdorur përmes frikës, kërcënimit dhe shantazhit.
Ndërsa shton se ka ardhur koha që qytetarët të jetojnë të qetë, e kriminelët të ndëshkohen.
”Dokumentet më poshtë janë lista të gjata të pasurive të shumta të konfiskuara dhe sekuestruara të një kryekrimineli që vet është bërë milioner ndërkohë që qytetarët e komunitetit serb i ka përdorur përmes frikës, kërcënimit dhe shantazhit. Pra, për vete milioner përmes krimit e qytetarëve terrorin dhe varfërimin. Por, kjo epokë ka marrë fund. Ka ardhë koha që qytetarët të jetojnë të qetë e kriminelët të ndëshkohen”, ka shkruar Haxhiu.
Bazuar në dokumentet e publikuara, në listën e pasurisë së Radojçiqit, përveç vilës tek Ujmani në Zubin Potok, ishin edhe anije, motor, vetura, banesa e lokale.