Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka pretenduar se të premtën, para vendimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës, “disa tentuan të përfundojnë gjithçka”, por se kjo u parandalua falë intervenimit të dy shteteve.
Këto pretendime, sipas mediave serbe, Vuçiq i ka bërë gjatë ditës së sotme në Zemun:
“Tentuan që dje, para vendimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të përfundojnë gjithçka, falë intervenimit të dy shteteve, kjo nuk ndodhi”.
Vuçiq citohet se ka shtuar që nesër do të udhëtojë për në Paris, ku pretendon se e presin takime të rëndësishme.
“Jemi duke u përballur me ditë të vështira sa i përket vendimeve në lidhje me aplikimin e Prishtinës për anëtarësim në KiE, OKB-ja, presion i madh nga rajoni, Evropa, Bota, por vendi duhet të vazhdojë të zhvillohet dhe të ecë përpara”, citohet se ka thënë ai.
Vlen të theksohet se Kosova ka marrë rekomandim pozitiv për anëtarësim në KiE. Seanca ku pritet të vendoset mbi këtë çështje, pritet të mbahet në mes të prillit.