Kurti: Shumë energji u harxhuan për formimin e institucioneve, tash koha s’duhet të çohet dëm

Kurti: Shumë energji u harxhuan për formimin e institucioneve, tash koha s’duhet të çohet dëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas inaugurimit të presidentes Justina Shiroka-Pula, duke thënë se tashmë janë krijuar kushtet që institucionet e vendit të punojnë pa pengesa.

Kurti ka publikuar fotografi nga ceremonia e inaugurimit, ku Shiroka-Pula pranoi zyrtarisht detyrën nga ushtruesja e deridjeshme e saj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Ai ka thënë se shumë energji janë shpenzuar për përmbylljen e procesit të formimit dhe funksionalizimit të institucioneve të Kosovës, ndërsa tani kërkon që puna të intensifikohet.

Postimi i plotë:

Shumë energji janë harxhuar për përmbylljen e procesit të formimit dhe funksionalizimit të institucioneve të Republikës së Kosovës: konstituimit të Legjislaturës XI të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së presidentes.

Mbrëmë profesoresha Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente, e sot pranoi zyrtarisht detyrën nga ushtruesja e deridjeshme e saj, kryetarja e Kuvendit të Republikës, znj. Albulena Haxhiu.

Tani që janë krijuar kushtet për punë pa pengesa, zelli duhet të shtohet e koha nuk duhet të çohet dëm. Në shërbim të qytetarëve, për të mirën e përbashkët dhe në përmbushje të zotimeve e të programit tonë qeverisës.

Edhe një herë urime të gjithëve!

Related Articles