Për muaj të tërë ka pasur spekulime se ka një qasje nga investitorët nga Arabia Saudite për të blerë klubin e Interit nga Suning, ndonëse ky i fundit vazhdimisht siguroi se “po kërkonin aksionerë në klub dhe se nuk po kërkonin një shitje të plotë”.
Sipas “La Repubblica”, negociatat janë me një familje të pasur nga Arabia Saudite e cila nuk është pjesë e Fondit të Investimeve Publike (PIF).
Mirëpo duke qenë se koha është shumë e kufizuar, palës saudite i duhet të paguajë së paku 1.2 miliardë euro që është kërkuar nga Zhang sepse në vetëm 37 ditë, kompania kontrolluese e klubit do të duhet të shlyejë kredinë prej 250 milionë euro (plus 70 milionë euro në interes) të dhënë në 2021 nga Oaktree.
Në të kundërtën, fondi amerikan i investimeve do të jetë në gjendje të zbatojë pengun mbi aksionet e Interit dhe të bëhet pronar i tyre.
Bëhet e ditur se afati i fundit është data 20 maj.