Vrasja e sotme ka tronditur gjithë opinionin, ku dyshohet se bashkëshorti ka vrarë gruan e tij në qytetin e Pejës.
Siç raportoi sot Enigma, i dyshuari në këtë rast është Edmond Lajqi.
I njëjti edhe në vitin 2022 ishte shpallur fajtor për veprën penale “dhunë në familje”.
Gjykata Themelore në Pejë, ka konfirmuar se për veprën për të cilën ishte shapllur fajtor, Edmond Lajqit i ishte shqiptuar gjobë 100 euro, si dhe tre muaj burgim, por që këtë të fundit me kërkesë të tij, i ishte zëvendësuar me gjobë prej 300 euro.
“Me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm, të datës 01.02.2022, është shpall fajtor për vepër penale dhuna në familje nga neni 248 par.1 të KPRK-së, për të cilën vepër I është shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej njëqind (100) euro, të cilën gjobë është obliguar që t’a paguaj në afat prej tre (3) muaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit si dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) muaj, I cili dënim me kërkesën e të pandehurit I është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumë prej treqind (300) euro, e të cilin dënim është obliguar t’a paguaj jo më vonë se tre (3) muaj pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm”, ka njoftuar Gjykata.
Gjykata Themelore në Pejë ka njoftuar se “ndaj aktgjykimit palët nuk kanë ushtruar ankesë, andaj aktgjykimi ka marrë formën e prerë me datë 25.02.2022 dhe i dënuari pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, në tërësi e ka paguar dënimin me gjobë”.
Në aktakuzën e siguruar thuhet se Edmond Lajqi më 22 shtator 2021, në shtëpinë e tij, kishte ushtruar dhunë psiqike ndaj bashkëshortes së tij, ku pas një zënke verbale të rregullt për 3-4 vite, viktima e kishte lajmëruar në polici.
Edmond Lajqi dyshohet se në mëngjesin e së martës privoi nga jeta gruan e tij, Gj.U, në banesën e tyre.
Kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj bëri të ditur sot se i dyshuari ishte arrestuar, dhe tha se çifti bashkë kishin tre fëmijë.
“Rasti ka ndodhur diku rreth orës 9 në mëngjes dhe dyshimet e para janë që bashkëshorti e ka privuar nga jeta me revole bashkëshorten e vet. Është prangosur i dyshuar dhe tash jemi duke i marrë informatat tjera shtesë rreth ngjarjes qe ka ndodhur. Ngjarja ka ndodhur në banesë por më vonë do të japim informata tjera. Çifti kanë tre fëmijë, por për momentin s’mund të them nëse kanë qenë prezent kur ka ndodhur rasti”, tha Kurmehaj.
Në vendin e krimit siç konfirmoi policia është konfiskuar edhe një armë zjarri.
Viktima e sotme është gruaja e dytë e vrarë në më pak se një javë në Kosovë.