Vrasja e grave në Kosovë alarmon institucionet, Presidentja Osmani shpall ditë zie

Vrasja e grave në Kosovë alarmon institucionet, Presidentja Osmani shpall ditë zie

Mëngjesi i 16 Prillit për Gjyljeta Ukellin, doli të jëtë fatal për të. Gruaja nga Peja është viktima e dytë e femicidit brenda pak ditësh në Kosovë. Sipas detajeve të fundit, Ukelli u vra nga burri i saj, Edmond Lajqi, me një plumb në kokë, për motive ende të panjohura.

Dhuna në familje, një dukuri që ka marrë përmasa të mëdha kohëve të fundit në vend dhe më gjerë, jo rrallë herë përfundon me fatalitet. Që nga viti 2010, në Kosovë janë vrarë 57 gra. Kësaj liste, së fundmi iu shtua emri i Erona Coklit nga Ferizaj, dhe Gjyljeta Ukellit nga Peja. Në të dyja këto raste, të ndodhura brenda 4 ditëve, janë vrarë nga burrat e tyre. Për të dyja rastet, motivet ende janë të panjohura.

Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar pas vrasjes së Gjyljeta Ukellës në Pejë.

RRGK thotë se ende pa u bërë 5 ditë nga tragjedia në Ferizaj, sot ndodhi një tragjedi tjetër.

“Ende pa kaluar 5 ditë nga rasti tragjik i vrasjes së gruas në Ferizaj, sot na gjen tragjedia tjetër, ku për viktimë mbeti Gjyljeta Ukella, e vrarë nga bashkëshorti i saj, Edmond Lajçi.”

RRGK thotë se gratë po vriten vetëm pse janë gra.

“Deri më tani të gjitha këto vrasje kanë për motiv gjininë, po vriten gratë vetëm pse janë gra. Burrat po vazhdojnë të mendojnë se ata kanë të drejtë të vendosin për jetën e grave dhe vajzave që i rrethojnë. Në këtë pozitë  ku janë vënë gratë  dhe vajzat, reagimi ynë po duket pa ndonjë ndikim.”

RRGK shton se sot e gjithë shoqëria duhet të bëhet zëri i grave dhe i vajzave.

“Sot gjithë shoqëria duhet të bëhet zëri i grave dhe i vajzave. Sot të gjithë duhet të ndihemi fajtor për tolerancën që e kemi ndaj dhunës e ndaj vrasjeve të grave.”

Sipas RRGK’së, vrasjet e grave duhet të trajtohen me urgjencë kombëtare.

“Vrasjet e grave duhet të trajtohen me urgjencë kombëtare. Sot shteti ynë duhet të fillojë menjëherë që me urgjencë ta trajtojë parandalimin e dhunës me bazë gjinore e të femicidit duke siguruar që të gjithë akterët relevant për trajtim të dhunës me bazë gjinore kanë në dispozicion të gjithë mekanizmat me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira për viktimat, me viktimën në qendër, ashtu siç e kërkon edhe Konventa e Stambollit, pjesë e Kushtetutës së Kosovës. Angazhim në ndryshim të stereotipeve gjinore përmes edukimit të gjeneratave për respektim të lirive dhe të drejtave të secilit qytetar e qytetare të Kosovës.”

“Sot, sistemi mbrojtës duhet të zotohet se do të bëjë çmos që ushtruesit e dhunës të marrin dënimet meritore e që viktimat do të trajtohen me dinjitet e me përkushtim që përjetimet e dhunës të mos ju përsëriten. Sot shoqëria në përgjithësi duhet ta mbaj veten përgjegjëse për vrasjet e grave dhe dhunën sistematike që gratë po përjetojnë. Vetëm të bashkuar mund ta luftojmë dhunën në bazë gjinore dhe vrasjet e grave.”, thuhet në reagimin e tyre.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dënoi vrasjen e gruajës në Pejë nga bashkëshorti i saj.

Osmani tha se të gjithë e kanë për detyrë të mbrojnë gratë dhe vajzat.

“Fatkeqësisht, sot të gjithë jemi zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht. Dhe, mënyra e vetme për ta ndaluar atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet, e si komb. Rizgjohemi sërish në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk jemi jetë vajzash e grash për të humbur”, tha Osmani.

Presidentja Osmani tha se kjo ngjarje ndodhi një ditë pas nisjes së edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqe dhe Siguri, ku u diskutua për dhunën ndaj grave

“Ju bëj thirrje të gjithëve, aktivistë të shoqërisë civile, institucione të sigurisë e drejtësisë, qytetarë, gra e burra bashkë që të ndalim një herë e përgjithmonë dhunën mbi bazë gjinore, që po e njollos shtetin tonë dhe mund ta shkatërrojë atë përbrenda”, shtoi Osmani.

Mbi rastin e sotëm, ka reaguar edhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Konjufca tha se ajo që është urgjente dhe që duhet të ndodhë është konsolidimi i mekanizmave të sigurisë dhe gjyqësisë, që sipas tij, raste të tilla mos të ndodhin më.

“Meqë shumica e rasteve që po ndodhin në Kosovë, kundër grave dhe vajzave dhe dhuna e tmerrshme e ushtruar ndaj tyre është kryesisht prej personave të cilët edhe më herët kanë pasur raste penale, raste të shkeljeve të rënda dhe sistemi i drejtësisë me shumë lehtësi i liron ata dhe pastaj kjo është parapërgatitje edhe për raste më të rënda, siç ishin rastet e dy vrasjeve këtë javë në Kosovë”, tha Konjufca.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut ka reaguar pas dy rasteve të vrasjes së grave në Kosovë, ku njëri rast ka ndodhur para pesë ditëve në Ferizaj dhe njëri rast ka ndodhur sot në Pejë.

KMDLNj-ja tha se sipas informatave, në të dyja ngjarjet e rënda kishte raste të raportuara të dhunës në familje, që në vrasjen e gruas nga ish-bashkëshorti në Ferizaj kishte filluar procesi i divorcit, kurse në Pejë, autori i vrasjes ishte dënuar me 400 euro gjobë.

“KMDLNj është jashtëzakonisht i shqetësuar për këto krime kundër jetës së njeriut, si e drejta kryesore e njeriut mbi të cilën ndërtohen të drejtat tjera. Është e pamundur të parashihet raste kur kryhet krimi mirëpo në raste të dhunës së përsëritur duhet të ndërmerren masa parandaluese e që, për arsye objektive dhe subjektive nuk bëhen. Pas këtyre vrasjeve të rënda dhe kriminale është krijuar një si rregull që politikanët të reagojnë nga interesi politik, kryesisht por që nuk ndërmarrin veprime të duhura për parandalim të rasteve ndonëse janë në situatë sikur që kanë edhe detyrim ligjor ta bëjnë këtë”.

“Nuk është në dorën e politikanit apo shoqërisë civile që edhe pa filluar hetimet të kërkojnë lartësinë e dënimit për krimet e bëra dhe se kjo është e drejtë, përgjegjësi dhe detyrim i gjykatave kompetente. Është krejtësisht e pamoralshme që mbi një fatkeqësi personale dhe familjare të kërkohen vota, as nga pozita e as nga opozita”, thuhet në reagim.

Më tej, në reagim, KMDLNj tha se duhet t’i bëhet një auditim profesional të gjitha rasteve të dhunës në familje, në mënyrë që sipas tyre, të identifikohen lëshimet eventuale pas së cilave do të kërkohej përgjegjësia penale për rastet që kanë përfunduar me fatalitet apo pasoja të rënda dhe masa të tjera në përputhje me përgjegjësinë eventuale

“Duhet të përkrahen më shumë qendrat për strehim të viktimave të dhunës familjare, pavarësisht gjinisë. Në nivel lokal, rajonal dhe qendror janë krijuar mekanizma kundër dhunës në familje koordinatore kryesore e së cilave është ministrja e Drejtësisë që mbanë takime të rregullta në nivel qendror me qëllim të parandalimit të dhunës ndaj gruas por se rezultatet janë të pakta, krejtësisht dekurajuese”.

“Realisht, dënimet e kohëve të fundit për vrasje të femrave janë plotësisht në përputhje me peshën e krimit andaj organet hetuese, prokuroria dhe gjyqësori duhet të përkrahet e jo t’ i bëhet presion publik. Presioni nga palët që nuk kanë qasje në prova dhe shume herë nuk janë profesionistë të fushës paraqet ndërhyrje të palejueshme në procesin hetimor dhe vendimmarrës”, thuhet më tej në reagimin e KMDLNj-së.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut tutje tha se pret që hetimet për këto raste të bëhen në përputhje me ligjet në fuqi dhe pas administrimit të provave nga gjykata, të caktohet përgjegjësia konkrete dhe penale që edhe do të caktojë lartësinë e dënimit.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka bërë thirrje qeverisë që urgjentisht të krijojë një task-forcë me kompetenca të plota për mbrojtjen e grave nga dhuna dhe vrasjet.

Këtë e tha Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ku ka reaguar pasi një burrë vrau edhe një grua mëngjesin e sotëm, njofton Klankosova.tv.

“Dy gra të vrara në tri ditë nga partnerët e tyre – të cilët kanë qenë edhe më parë të denoncuar në polici për çështje të dhunës në familje. Ky është alarmi që duhet të zgjojë secilin person që ka sado pak përgjegjësi për të garantuar sigurinë e qytetarëve – e institucionet shtetërore kanë më së shumti. Çfarëdo që është duke bërë aktualisht Qeveria e Kosovës, nuk është më e rëndësishme sesa siguria e grave në Kosovë. Prandaj, ju bëjë thirrje që urgjentisht të krijojnë një task-forcë me kompetenca të plota për mbrojtjen e grave nga dhuna dhe vrasjet”, shkroi kreu i PDK-së.

Ai poashtu shkruan se nuk duhet lejuar që Kosova të shndërrohet në një vend ku jeta e grave nuk vlen aspak.

“Duhet vepruar pa justifikime dhe pa përjashtime. Pa pardon për recidivistët. Me ndëshkueshmëri maksimale për dhunuesit dhe vrasësit e grave. Duhet garantuar mbrojtje, mbështetje dhe siguri për gratë. Mos lejoni që Kosova të shndërrohet në një vend ku jeta e grave nuk vlen aspak. Lëvizni, ju lutem, sepse nuk është momenti për fjalë”, shkroi ai.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur i tronditur nga vrasja që ndodhi sot në Pejë, ku dyshohet se burri ia mori jetën gruas së tij.

Përmes një postimi në Facebook, ai thotë se është urgjencë që gjërat të marrin kahje ndryshe.

Ai poashtu ka thënë se vrasjet duhet të ndalen, ndërkaq drejtësia ta kryej punën e saj dhe të ashpërsohet në këtë drejtim.

“I trishtueshëm lajmi për vrasjen e gruas që ndodhi sot në Pejë. Raste të tilla që fatkeqësisht po ndodhin shpesh në vendin tonë, janë të papranueshme dhe është tejkaluar çdo limit njerëzor. Është urgjencë që gjërat të marrin kahje ndryshe. Vrasjet duhet të ndalen, shoqëria duhet të reflektojë, ndërkaq drejtësia ta kryej punën e saj dhe të ashpërsohet në këtë drejtim. Ngushëllime familjes që humbi më të dashurën e tyre”, shkroi kreu i AAK-së.

Ndryshe, 17 prill(nesër), Kosova ka shpallur ditë zie për dy vrasjet e fundit të grave në Kosovë.

Gjithashtu, sipas raportimeve të fundit, Shteti ka vendosur të themelojë Task Forcë, për rastet e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në bazë gjinore.

Ky veprim vjen pas vrasja që ndodhi sot në Pejë, i cili është rasti i dytë brenda pesë ditësh kur gratë dyshohet se u vranë nga bashkëshortët apo ish-bashkëshortët e tyre.

Tashmë është nxjerrë një propozim vendim përmes të cilit është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë për themelimin e kësaj Task Force.

Në dokument thuhet se Task Forca po themelohet për shkak të rasteve të shumta të dhunës në familje dhe rrjedhimisht vrasjes së grave nga bashkëshortët e tyre.

Prandaj është parë e nevojshme ndërmarrja e veprimeve të menjëhershme institucionale për krijimin e mekanizmave institucionalë për adresimin e këtyre çështjeve, si dhe parandalimin e këtyre dukurive.

Related Articles