Koordinatorja nacionale e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, ka thënë se prokuroria bashkë me hetuesit policorë kanë nisur planin operativ për mbarëvajtjen e procesit në katër komunat në veri.
Ajo ka theksuar se “të katër prokurorët janë në qendrat e votimeve në katër qendrat kryesore -Leposaviq, Zveçan, Zubin-Potok e Mitrovicë e Veriut së bashku me hetuesit e Policisë së Kosovës”.
Pula u ka bërë thirrje qytetarëve që në rast incidenti ta informojnë Prokurorinë menjëherë.
“Në 23 qendrat e votimit me 63 vendvotime prokurori i shtetit bashkë me PK është në dispozicion në mbrojtje të votës dhe eventualisht keqpërdorimit të drejtës së votës. Prokurorët tani janë në stacionet policore në katër komunat dhe do operojnë bashkë me hetuesit e PK-së”, ka thënë ajo për KTV.
Në katër komunat në veri të Kosovës, qytetarët votojnë sot nëse duan apo jo të largojnë kryetarët komunalë shqiptarë. Procesi mbahet mes thirrjeve nga Lista Serbe për bojkotimin e votimeve në komunat e banuara me shumicë serbe.