Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se do të matet me kryeministrin e vendit dhe kreun e VV-së, Albin Kurtin, edhe në mërgatë e kudo që ka votues.
Abdixhiku tha se me Kurtin do të maten me çështje programore dhe siç tha ai, kjo është gara e vetme sot për sot në Kosovë.
“Nëse ka një gjasë që kjo qeveri populliste të marrë fund, është nëpërmjet mbështetjes së LDK-së. Kështu e lexoj skenën politike dhe matjet. Në garë janë të gjithë, por gjasat e vetme për të pasur vërtetë një ndërprerje të popullizmit në Kosovë është nëpërmjet LDK-së”.
“Duket se dy partitë opozitare kanë zgjedhur të shkojnë me modelin e të kaluarës për alternativë zgjedhore. Pra, në leximin që bëjnë, para 14 shkurtit ka qenë mirë, aq mirë ka qenë dhe ja ky është modeli se si do të garojmë në të ardhmen”, tha ai në Rubikon.
Ndërsa, për sa i përket VV-së, Abdixhku tha se partia në pushtet po thotë se atë që po e bëjnë tani është mirë dhe kështu do të jetë edhe për 4 vitet e ardhshme, e që sipas tij, i bie se do të ankohen për të kaluarën, investimet do të jenë 11%, inflacioni 30% dhe Serbia do të jetë tema kryesore.
“Unë dhe LDK kemi zgjedhur një rrugë të re. Për ne, koncepti politik që përfaqësojmë është një reflektim i rezultatit të fundit, një mbyllje e të kaluarës politike dhe hapje e një kapitulli të cilin e shkruajmë tani”.
“Unë jam i ri në politikë dhe marrë të gjitha faturat dhe sukseset e partisë, sepse me takojnë me pozicionin që kam. Por qytetarëve duhet t’iu flas për punët që do të bëjmë tash për të ardhmen, jo për të kthyer të kaluarën e as për të mirëmbajtur të tashmen e cila është e rrezikshme, e dëmshme, sanksionuese fundja, por për të ndërtuar një të ardhme të ndritshme”.
“Dhe brenda LDK-së ka pasur mendime që ne duhet të kthehemi te e kaluara, që ta mirëmbajmë atë si vlerë alternative. E kaluara nuk mund të shërbejë për të ardhmen”, tha ai.