Sulmuesi i Dukagjinit të Klinës, Theophilus Solomon, është liruar nga burgu. Solomon është mes 700 të burgosurve për vepra të ndryshme penale që kanë përfituar nga amnistia. Të burgosurit u liruan të mërkurën menjëherë.
“Jam në Kosovë”, thotë Solomon, i cili shpejt pritet t’i bashkohet Dukagjinit në stërvitje. “Do të kthehem në stërvitje menjëherë. Nuk po mendoj fare për diçka tjetër. Dua vetëm të fokusohem në stërvitje dhe të shoh se çfarë do të ndodh pastaj. Jam gjithmonë në kontakt me klubin, nuk kam ndonjë problem me ata. Kam bërë stërvitje brenda në burg. E kemi pasur palestrën, kemi luajtur futboll të vogël për ta kaluar kohën”.
Solomon ishte arrestuar në shkurt të këtij viti në Kosovë, ndërsa ishte ekstraduar shpejt në Shqipëri për një rast për dhunë në familje sa ishte në Shqipëri.
Në fakt, ai në Kosovë u arrestuar dy herë. Së fundi sa ishte pjesë e Dukagjinit, ndërsa në shkurt të vitit të kaluar sa ishte lojtar i Gjilanit.
Në shkurt të vitit 2023 Solomon ishte arrestua pas stërvitjes së Gjilanit dhe atij i ishte caktuar masa e paraburgimit prej 40 ditësh. Solomoni ishte arrestuar dhe paraburgosur sipas urdhërarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Shqipërisë për shkak se ka qenë i dënuar me 11 muaj burgim efektiv për veprën penale dhunë në familje. Për këtë vepër ishte dënuar në mungesë. Masa e paraburgimit i ishte ndërprerë derisa ka qenë në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit. Tani ai është plotësisht i lirë.
Ai insiston se ka kaluar periudhë të vështirë.
“Ka qenë e vështirë, më së shumti për familjen time, për vajzën time të vogël dhe të gjithë. Gjithçka ka qenë e vështirë, shumë e vështirë. Nuk e di se si ta shpjegoj situatën por ka qenë shumë e vështirë”, ka thënë Solomon.
Ai beson se do të kthehet në formë.
“Nuk kam menduar diçka tjetër. Ajo që dua të them është se jam shumë i lumtur që ka përfunduar tash sepse nuk do të më duhet të shikoj prapa shpatullave sa herë që dalë nga banesa, duke shpresuar që të mos vijë Policia për shkak të akuzave të pavërteta dhe gjërave të tilla. Tani jam shumë i lumtur që gjithçka ka përfunduar dhe nuk dua të mendoj fare për këtë. Tani jam tërësisht i fokusuar sepse nuk kam për çfarë të brengosem. Jam krejtësisht i përqendruar”, ka theksuar Solomon.
Më herët për një rast në burg ka qenë edhe ish-sulmuesi tjetër i Dukagjinit dhe Prishtinës, Otto John.