Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se Kosova ka shënuar regres alarmant për 19 vende në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij.
Në indeksin vjetor për lirinë e medies nga Reporterët Pa Kufij, Kosova renditet si vendi i 75-të në botë apo 19 vende më poshtë sesa vitin e kaluar që ishte e 56-ta.
Organizata më e madhe botërore për lirinë e medies, jep një sërë arsyesh për përkeqësimin e lirisë së medies në vend, ku e përmend edhe rastin e Klan Kosovës vitin e kaluar, për të cilin thotë se televizioni “subjekt i sulmeve administrative nga qeveria”.
“Edhe nëse media me sukses vazhdon t’i mbajë politikanët përgjegjës, gazetarët vazhdojnë të jenë target i sulmeve politike. Rregullatori joefikas i medieve, KPM, po provon të reformojë veten. Televizioni më i madh, Klan Kosova ka qenë subjekt i sulmeve administrative nga qeveria, e cila gjithashtu e ka kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik, RTK me zgjedhjen e një aleati të afërt të partisë në pushtet për drejtor. Mediet në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasje në informatat publike, sidomos në gjuhën e tyre, që është e drejtë kushtetuese për minoritetet”, thuhet në raport.
Më tej, në raport përmenden edhe sulme fizike dhe akuzat ndaj tyre si “bashkëpunëtorë të armikut”.
“Edhe pse gazetarët kanë besimin e shoqërisë, mediet e pavarura dhe gazetarët hulumtues janë shpesh cak i fyerjeve dhe lajmeve të rrejshme në medie sociale. Ata akuzohen në mënyrë të padrejtë se janë ‘bashkëpunëtorë të armikut’, retorikë e përdorur nga grupe politike dhe fetare”, përfundon raporti.