Që nga paslufta, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës nuk ka sistem të radarit për të përcaktuar se cilat zona mund të goditen nga stuhitë, siç pritet të ketë edhe sot.
Megjithëse kërkesa ka qenë e vazhdueshme dhe nevoja shumë e madhe për tu pajisur me një radar të tillë, kjo sipas Besim Aliut nga IHMK-ja gjithmonë ka hasur në vesh të shurdhër.
“Unë gjithmonë them se vende vende mund të ketë stuhi edhe shkarkime rrufesh, për shkak se për të përcaktuar vendin, territorin i cili do të atakohet, nuk kemi radar, e pa këtë pajisje nuk mundemi ta përcaktojmë”, u shpreh Aliu në një prononcim për media.
“Stuhitë mund të jenë të një intensiteti, përafërsisht si ajo që ndodhi para disa ditësh në Lipjan, por se në cilat vende do të jenë nuk mund ta përcaktoj”, tha ai.
Aliu u shpreh se kanë kërkuar shpesh herë që të pajisen me radar, por edhe të shtohet stafi, pasi është i vetëm në Institut duke kryer punën e parashikimit të motit, ndërkaq kërkesat e tij nuk janë marrë parasysh.
“Kam marrë edhe vërejtje se pse kam bërë kërkesa të tilla. Afërsisht një radar i tillë kushton nga 1.5 deri më së shumti në 2 milionë euro, por që kryen shumë punë”, tha Aliu.
Ai u shpreh se një radar i tillë do të ishte shumë i dobishëm për shumë sektorë, e sidomos për bujqit.
“Është zona e Dukagjinit që varet më shumë nga bujqësia, për çdo vit ata mbesin pa kulturat bujqësore për shkak të breshrit, për shkak të mungesës së mjeteve për mbrojtje. Qeveritë po ndërrohen e nuk po lënë asgjë mbrapa”, tha ai.
Aliu shtoi se “Breshër nuk ndodh me ra në gjithë territorin e Kosovës dhe mund të bie diku 4 ose 5 km, nuk bie në gjithë territorin dhe ka mundësi për mbrojtje”.
Ai në fund tha se do të donte që kërkesa e tij të arrinte deri tek ministri i i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
“Do të doja që ministri t’i dëgjonte këto probleme, për mungesën e stafit dhe mjeteve të punës, besoj shumë se do t’i merrte parasysh”, tha Aliu.
Katër ditë më parë, reshje të mëdha të shiut dhe breshrit pati në disa rajone të vendit tonë.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, shihet se në Lipjan ka pasur edhe erëra të forta.
Ndryshe, edhe rajoni dhe disa vende të Evropës është raportuar se janë përfshirë nga stuhitë.