Dy prokurore kundërshtojnë avancimet e kolegëve të tyre në Prokurorinë e Apelit

Dy prokurore kundërshtojnë avancimet e kolegëve të tyre në Prokurorinë e Apelit

Dy prokurore të Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, po kundërshtojnë avancimet e disa kolegëve të tyre në Prokurorinë e Apelit.

Kundërshtimin e tyre, prokuroret Shemsije Asllani dhe Fitore Sadikaj po e bazojnë në atë se këto avancime janë duke u tentuar të bëhen në mënyrë kundërligjore dhe në konflikt të interesit.

Për këtë arsye, prokuroret Asllani dhe Sadikaj kanë dërguar në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) kundërshtimet e tyre ndaj raportit përfundimtar të Komisionit për Avancim dhe Transferim të Prokurorëve të Shtetit (Komisioni), duke kërkuar që konkursi për avancim të prokurorëve në Prokurorinë e Apelit të ri-shpallet.

Konkursi për avancim të prokurorëve në Apel ishte shpallur fillimisht në gusht të vitit të kaluar, ndërsa në mars të këtij viti, KPK kishte marr vendim që ky konkurs të ri-shpallet. Në këtë shpallje kishin aplikuar për avancim edhe prokuroret Asllani dhe Sadikaj.

Pas përfundimit të procedurave nga ana e Komisionit për Avancim dhe Transferim, asnjëra nga këto prokurore nuk janë propozuar për avancim në Prokurorinë e Apelit. Në raportin e Komisionit janë propozuar për avancim katër prokurorë të tjerë, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur.

Por, sipas kundërshtimeve të paraqitura në KPK nga prokuroret Asllani dhe Sadikaj, me rastin e përpilimit të raportit përfundimtar, Komisioni kishte vërtetuar në mënyrë të gabuar gjendjen faktike si dhe kishte kryer shkelje esenciale të dispozitave procedurale të Ligjit për KPK-në dhe Rregullores për Transferim dhe Avancim të Prokurorëve të Shtetit.

Po ashtu, prokuroret Asllani dhe Sadikaj po konsiderojnë se avancimi në Apel i dy nga katër prokurorëve të propozuara nga Komisioni përbën edhe konflikt të interesit.

Për këtë arsye, ato i janë drejtuar edhe Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK) me një kërkesë për vlerësimin e konflikt të interesit në këtë rast.

Sipas kundërshtimeve të prokuroreve, dy nga katër prokurorët e propozuar nga Komisioni për avancim në Apel janë edhe në konflikt të interesit për shkak se kishin qenë anëtarë të KPK-së deri në dhjetor të vitit 2020.

Për këtë arsye, prokuroret kanë thekuar se propozimi i Komisionit për avancim të dy prokurorëve, bie në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik (LKIU), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Konkretisht, prokuroret kanë theksuar se propozimi i dy prokurorëve – ish-anëtarë të KPK-së, bie ndesh me nenin 18 të LKIU-së, i cili ka paraparë një kufizim dy-vjeçar në punësim dhe emërim në pozita udhëheqëse apo menaxhuese të zyrtarëve të lartë, pas mbarimit të funksionit të tyre në një institucion që ka qenë i lidhur drejtpërdrejt me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetit të tyre.

Neni 18.1.1 i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

Në këtë rast, duke qenë se dy nga katër prokurorët e propozuar për avancim në Apel kanë vetëm gjashtë muaj që kanë përfunduar mandatin e tyre në KPK, sipas kundërshtimeve të prokuroreve Asllani dhe Sadikaj, e bën propozimin e Komisionit të kundërligjshëm. Këta prokurorë, siç thuhet, nuk ka qenë dashur as të futen në listën e kandidatëve për intervistim, e aq më pak të përzgjidhen.

Me propozimin e këtyre prokurorëve për avancim, pa u bërë dy vjet nga përfundimi i mandatit të tyre në KPK, thuhet se është shkelur Rregullorja për Transferim dhe Avancim të Prokurorëve të Shtetit.

Për më tepër, në shkresën e prokurores Asllani thuhet se duke qenë se dy prokurorë të propozuar për avancim në Apel kishin qenë anëtarë të KPK-së deri në dhjetor 2020, të njëjtit nuk kanë mundur të plotësojnë as njërin prej kritereve kryesore siç është vlerësimi i performancës.

“Me fjalë të tjera, si është e mundur që dikush i cili deri vonë ka qenë anëtarë në KPK të përformojë më mirë sesa një prokuror tjetër i cili aktivisht dhe vazhdimisht ka trajtuar raste me sukses në mënyrë efektive”, thuhet në kërkesën e prokurores Asllani në AKK, e që “Betimi për Drejtësi” ka arritur të sigurojë nga burimet e veta.

Ndërkaq, prokurorja Sadikaj ka thekuar në kundërshtimin e saj se Komisioni për Avancim dhe Transferim të Prokurorëve, përveç njoftimit për poentimin që i kishin bërë asaj pas intervistës, nuk e kishte njoftuar atë mbi cilën bazë ishte bërë një poentim i tillë.

Për këtë shkak, prokurorja Sadikaj thekson se meqenëse ajo kishte pranuar vetëm një njoftim lidhur me poentimin e saj dhe jo edhe tabelën e vlerësimit dhe raportin përfundimtar, i është pamundësuar edhe ushtrimi i mjetit juridik.

“Thënë më ndryshe, e drejta ime për mjete juridike sipas njoftimit të datës 10 qershor 2021 është abstrakte dhe në asnjë rrethanë nuk mund të jetë efektive, për arsye se unë e kam të pamundur që të bindem fillimisht mbi drejtshmërinë dhe ligjshmërinë e poentimit final”, thuhet në kundërshtimin e prokurores Sadikaj.

Në kundërshtimin e saj, prokurorja Sadikaj ka theksuar se ajo ka plotësuar në mënyrë maksimale të gjitha kriteret e kërkuara me rregullore për avancim. /BetimipërDrejtësi

Related Articles