Sot bëhen gjashtë vjet nga vdekja e legjendës së futbollit dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit.
Fadil Vokrri ndërroi jetë më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër në moshën 57-vjeçare.
Në përvjetorin e gjashtë të vdekjes së tij ka reaguar edhe FFK-ja, ku edhe e ka përshkruar si një futbollist të jashtëzakonshëm dhe të përmasave botërore.
Fadil Vokrri ishte një futbollist i jashtëzakonshëm dhe i përmasave botërore. Talentin që ia dhuroi Perëndia, ai e shndërroi në pasion dhe dashuri të pakufishme për lojën magjike të futbollit.
“Me aftësitë e tij të shkëlqyeshme me topin, intuitën për gol dhe stilin unik, Vokrri u shqua që në rininë e tij të hershme. Me paraqitjet në fanellën e Prishtinës, ai bëri që një popull i tërë ta thërriste emrin e tij dhe tek ai të shihte shpresën e gëzimin. Karriera e tij e ndritur, brenda dhe jashtë vendit, e bëri atë një nga figurat më të dashura dhe të respektuara në historinë e sportit tonë”, thuhet në reagimin e FFK-së..
Tuitje ata kanë theksuar se “përtej talentit në fushë, Fadili ishte njeri me zemër të madhe dhe mendjeprehtë, teksa disa vjet pas çlirimit të vendit vendosi që të kthehej në vendlindje dhe të kontribuonte në udhëheqjen e klubit të tij të zemrës, e më pas edhe të Federatës”.
Sipas FFK-së “ardhja e tij ishte shpresë, teksa misioni i përbashkët ishte anëtarësimi në UEFA e FIFA. Ndonëse ky rrugëtim nuk ishte i lehtë, autoriteti dhe këmbëngulësia e tij, por edhe i të gjithë atyre që ishim pjesë e Federatës, si dhe mbështetja e institucioneve vendore dhe faktorëve ndërkombëtarë, bëri që ky mision të përmbyllej suksesshëm në maj të vitit 2016”.
Federata e Futbollit të Kosovës ndër të tjera ka deklaruar se Fadil Vokrri ishte simbol uniteti për futbollin.
“Fadil Vokrri ishte simbol uniteti për futbollin, derisa trashëgimia që la pas është një thesar i paçmuar. Teksa nderojmë Legjendën tonë, ne i jemi mirënjohës për gjithçka që bëri për futbollin në Kosovë. Të frymëzuar nga trashëgimia e tij do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për një të ardhme të ndritur për brezat e rinj, me besim të plotë se vendi ynë do të japë edhe shumë talente si ai. I përjetshëm kujtimi për TY, Legjendë!”.
Kujtojmë se Vokrri ka drejtuar FFK-në për mbi një dekadë, ndërsa ka udhëhequr Federatën në procesin e vlerësuar si shumë të vështirë, të pranimit në UEFA e FIFA. Pas shumë përpjekjeve, më në fund në vitin 2016, FFK-ja u pranua në UEFA e FIFA.
Vokrri e filloi karrierën e tij si futbollit me Llapin, mirëpo debutimin si futbollist profesionist e bëri me Prishtinën në vitin 1980. Karriera e tij 15-vjeçare e dërgoi atë në Partizan, Nimes, Fenerbahce, Bourges 18. Në fund të karrierës së tij, në vitin 1995, ai u pensionua në klubin Montlucon.
Pas karrierës së tij mbresëlënëse si futbollist, Vokrri e mori përgjegjësinë e pozitës së presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës më 16 shkurt 2008, dhe këtë pozitë e mbajti deri në vdekjen e tij.
Falë punës së tij në FFK, Kosova u anëtarësua në UEFA dhe në FIFA në maj të vitit 2016. /Gazeta Enigma/