Kthimi në Gjakovë i një shtetases serbe ka ngjallur pakënaqësi të mëdha. Madje për ta kundërshtuar atë është paralajmëruar edhe protestë për të hënën.
Shoqata e familjarëve të të zhdukurve “Thirrjet e Nënave” në një konferencë për media kanë thënë se ajo çka ka bërë komuna është e turpshme.
Ato kanë akuzuar Kreun e Komunës, Ardian Gjini, duke thënë se në Gjakovë nuk kanë vend kriminelet e luftës.
Drejtueset e kësaj shoqatë kanë thënë se do ta kundërshtojnë këtë sikurse siç kanë bërë deri tash me pengimin e pelegrinëve serb. Kanë paralajmëruar se nëse komuna nuk vepron ato do ta nxjerrin më dhunë nga banesa shtetasen serbe.
Luljeta Sharani nga kjo organizatë ka thënë se nuk do të pranojnë që asnjë shtetas serb të kthehet në këtë qytet.
Mllef thotë të ketë për kryetarin Gjini, i cili sipas saj ua ka mundësuar të vijnë.
Ajo ka thënë se për 22 vjet kanë kërkuar drejtësi në organet qeveritare dhe ende nuk ka drejtësi për më të dashurit e tyre.
Edhe dega Alternativës në Gjakovë ka akuzuar Komunën e Gjakovës për kthimin e shtetases serbe në Gjakovë dhe për mungesë të transparencës.
“Ende më shqetësuese është angazhimi i komunës së Gjakovës në përgatitjen e banesës, pronë të cilën e posedon komuna, pa asnjë konsultim paraprak me organet e rendit dhe ato të inteligjencës si dhe heshtja e komunës dhe kryetarit të saj në marrjen e përgjegjësisë, tashmë kur situata ka krijuar pakënaqësi në masë”, theksohet në njoftim.
Megjithatë kjo parti u ka bërë thirrje të gjitha Organizatave të shoqërisë civile në Gjakovë të cilat kanë bërë thirrje për protestë, të jenë të vëmendshme dhe të përgjegjshme për pasojat eventuale të shkaktuara nga rrethanat që mund të sjellin protestat. /Gazeta Enigma/