Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka konstatuar se Komuna e Gjakovës ka publikuar lista me të dhënat e subjekteve personale (të dhëna të ndjeshme), të cilat lista kanë përmbajtur të dhëna personale si: emrin, mbiemrin, vitin e lindjes, numrin personal, diagnozën e sëmundjes, numrin e llogarisë bankare, numrin e telefonit të personave fizik që kanë përfituar subvencione shëndetësore për vitin 2024, si dhe shumën e përfituar.
“Përmes publikimit të këtyre të dhënave, e njëjta ka përpunuar të dhëna personale në kundërshtim me dsipozitat e Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në komunikatën e AIP-së.
Komuna e Gjakovës ka publikuar në ueb faqen zyrtare të saj për një kohë lista me të dhëna personale të subjekteve të të dhënave. Në mesin e tyre ka publikuar të dhëna personale të ndjeshme (të dhëna shëndetësore), të cilët kanë fituar subvencione shëndetësore për vitin 2024.
“Andaj, Agjencia për Informim dhe Privatësi, me vendimin Nr. 105/24, të datë 14.06.2024, ka ndërmarr të gjitha veprimet ligjore ndaj Komunës së Gjakovës, për përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale”, thuhet tutje në njoftim. /Gazeta Enigma