Kosova sot pritet t’i dorëzoj Serbisë mbetjet e tre trupave të vrarë gjatë luftës

Kosova sot pritet t’i dorëzoj Serbisë mbetjet e tre trupave të vrarë gjatë luftës

Mbetjet e tre trupa të qytetarëve serbë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë, pritet t’u dorëzohen autoriteteve të Serbisë, të martën, në pikën kufitare në Merdarë. Ata kanë qenë në mesin e 280 trupave të paidentifikuar në morgun e Prishtinës.

Ditor Haliti, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore ka thënë për Radion Evropa e Lirë se mbetjet e trupave që do të dorëzohen sot, kanë qëndruar në Institut që nga paslufta, por ka qenë problem identifikimi i tyre.

“Kanë qenë në Institut sepse nuk kanë mundur të identifikohen gjatë kësaj kohe për arsye se familjarët nuk kanë dhënë mostra të gjakut që të identifikohen. Vitin e kaluar janë dhënë mostrat e gjakut të familjarëve edhe janë dërguar mostra shtesë të ADN-së, të cilat na kanë dhënë rezultatet e tyre që janë të identifikuar”, ka thënë ai.

Për pranimin e këtyre trupave kanë njoftuar edhe autoritet e Serbisë. Në një komunikatë të lëshuar nga Qeveria e Serbisë bëhet e ditur se sot në Merdarë, autoritetet e tyre do të pranojnë mbetjet e dy personave, ndërsa për personin e tretë, mbetjet do t’i pranojë familja e tij. Sipas Qeverisë së Serbisë, ata janë vrarë në Ferizaj, Prizren dhe Prishtinë në vitin 1999.

Haliti ka thënë se në Institut janë ende shumë mbetje mortore të paidentifikuara.

“I kemi 280 trupa (mbetje kockore) që nuk kanë përputhje me mostrat e gjakut, janë të dy komuniteteve, serbë dhe shqiptarë. Po punohet edhe në rrafshin e zhvarrimeve që janë bërë vitin e kaluar, por edhe rishikimin e mbetjeve mortore që janë”, ka thënë ai.

Haliti, po ashtu, ka bërë të ditur se institucionet e Kosovës, Policia e Kosovës, misioni i EULEX-it e Komisioni qeveritar për të pagjeturit, janë duke i vazhduar kërkimet për mbetje mortore, por nuk ka dhënë detaje të tjera.

Gjatë luftës së viteve 1998/’99 në Kosovë u vranë rreth 13.000 njerëz, 10.794 shqiptarë, 2.119 serbë, ndërsa të tjerët u përkasin etnive të tjera.

Nga rreth 6.000 njerëzit e zhdukur me forcë atëkohë, të pagjetur sot mbeten edhe më shumë se 1.600 persona. Shumë prej të zhdukurve u gjetën ndër vite në varreza masive në Serbi.


Sipas Komisionit qeveritar të Kosovës për persona të pagjetur, gjatë vitit 2023 u gërmua në 15 lokacione brenda territorit të Kosovës, që ndërlidhen me procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, si dhe në një lokacion në Serbi.

“Të zhvarrosura janë mbetjet mortore të njëzet individëve – viktima të luftës, edhe pse numri i personave të zhvarrosur dhe identiteti i tyre do të përcaktohen pasi të përfundojnë të gjitha ekzaminimet mjeko-ligjore dhe identifikimi përmes analizës së ADN-së”, thuhet në raportin e Komisionit qeveritar të Kosovës.

Related Articles