Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Hamburg të Gjermanisë, shkruan Enigma.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit po qëndron atje me ftesë të Përfaqësuesit të Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Gjatë qëndrimit atje, Kurti do të përcjellë përballjen mes Shqipërisë e Kroacisë në kuadër të “Euro 2024”.
“Vizitën në portin e Hamburgut për të parë nga afër Sistemin e Skanimit të Ngarkesave me Rreze X në port, kryeministri do ta bëjë së bashku me përfaqësuesin Special të Qeverisë së Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin, për të vazhduar më pas edhe në stadiumin e Hamburgut në mbështetje të kombëtares shqiptare sot në përballje me Kroacinë, në kuadër të EURO2024”, thuhet në njoftim.
Në Hamburg të Gjermanisë, kryeministri Kurti po shoqërohet nga ministri për Kthim edhe Komunitete, Nenad Rashiq dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.