Çka përmban projektligji problematik për KPM-në që pritet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për votim?

Çka përmban projektligji problematik për KPM-në që pritet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për votim?


Të premten me një shumicë votash, Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka votuar që Projektligji për Komisionin e Pavarur për Media të kalojë në seancë plenare për lexim të dytë, shkruan Gazeta Enigma.

Raporti i përbërë me 93 amendamente, është votuar me gjashtë vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim.

E ky projektligj i cili do të ‘lundrojë’ javëve në vijim në Kuvend për votat e deputetëve ka hasur në kritika të ashpëra nga organizatat vendore e ndërkombëtare për përmbajtjen problematike që e ka.

Qendra Evropiane për shtyp dhe liri të medias (ECPMF) përmes një komunikate muaj më parë i pati bërë thirrje urgjente zyrës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ta rishikojë këtë projektligj.

Sipas tyre, mungesa e transparencës gjatë hartimit ngre shqetësime, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së gazetarëve dhe shoqërisë civile.

Juristja për të drejtën e medias, Flutura Kusari, vlerëson se nëse ky projektligj bëhet ligj, do t’i shkaktohet dëm i pariparueshëm lirisë së medias.

“Këshilli i Evropës ka dhënë kritika tepër të ashpra, për projektligjin e KPM-së dhe Kuvendi në vend që me i marr ato seriozisht, nuk e ka zbatu në shumicën e tyre, tash kemi një projektligj që nuk është në përputhje me standardet dhe kriteret e Bashkimit Evropian”, ka thënë Kusari.

Legjislacioni parasheh që mediat online, që prodhojnë video, duhet të regjistrohen si biznes. Me ndryshimet, KPM-ja do të ketë mandat të monitorojë edhe punën e mediave online që prodhojnë përmbajtje audio-vizuale.

Ndryshimet në legjislacion parashohin gjoba deri në 40.000 euro për mediat që bëjnë shkelje të ndryshme ligjore.

Ndërkaq më 27 dhjetor, Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM). Ndryshimet kryesore ligjore të propozuara janë:

-Mediat online do t’i nënshtrohen licencimit dhe kontrollit shtetëror nga Komisioni i Pavarur për Media (KPM).

-Mediat online që funksionojnë si organizata joqeveritare do të detyrohen të hapin kompani për të përmbushur kërkesat e licencimit.

-Mediat online do të detyrohen të regjistrohen në Regjistrin e Mediave Online që do të menaxhohet nga KPM-ja.

-Mediat online do të duhet të marrin leje nga KPM në rast ndryshimi të pronësisë mbi 10%.

-Mediat online do t’i nënshtrohen një regjimi sanksionesh duke përfshirë gjoba të mundshme deri në 40,000 euro.

-KPM do të ketë 11 anëtarë dhe jo shtatë, siç ka aktualisht.

-Anëtarët e KPM-së nuk do të kenë më mandate të shkallëzuara prej dy, tre dhe katër vitesh, por mandat katërvjeçar me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat tjetër.

ECPMF këtë veprim e ka quajtur sulm të hapur ndaj lirisë së mediave në Kosovë.

“Kërcënimi me gjoba deri në 40,000 euro paraqet rrezik ekzistencial, veçanërisht per mediat kritike. Ky projektligj përjetëson një qasje armiqësore të partisë në pushtet, duke sinjalizuar një përpjekje të vazhdueshme për të shtrënguar kontrollin mbi median”- thuhet tutje në komunikatë.

Grupi i organizatave për lirinë e shtypit i ka thirrje Zyrës së Kryeministrit të tërheqë projektligjin dhe ta përafrojë atë me standardet e Këshillit të Evropës dhe të OSBE-së.

“Përfshirja e vërtetë e gazetarëve, OJQ-ve dhe të gjithë akterëve është thelbësore për ndryshime të drejta legjislative”- theksohet më tej në komunikatë. / GAZETA ENIGMA.

Related Articles