Një hetim disa mujor i Njësisë së Hetimit të Trafikimit me Qenie Njerëzore ka rezultuar me identifikimin e një gruaje të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Trafikim me njerëz’. E dyshuara u kap pasditen e së premtes në Prisbtinë dhe tashmë ndodhet në ndalim policor.
Sipas Sinjalit, bëhet fjalë për një shtetase të Shqipërisë, 30-vjeçare, e cila po dyshohet se ka trafikuar një numër të caktuar vajzash, të cilat i ka sjellë në Kosovë.
Bazuar në informacionet e para, bëhet fjalë për rreth 10 vajza, shumica prej tyre nga Kolumbia – të cilat janë identifikuar si viktima të këtij rasti.
E dyshuara është prangosur në kryeqytet dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, teksa janë ndërmarrë veprimet e nevojshme edhe lidhur me viktimat.
Ndaj gruas së dyshuar, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Kushdo që merr pjesë në trafikimin e njerëzve dënohet me gjobë dhe me burgim prej pesë (5) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.”