Katër persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e një sulmi në Sevastopol të Krimesë nga ana e ushtrisë ukrainase, me raketa ATACMS të furnizuara nga SHBA-ja.
Në mesin e katër të vdekurve, dy prej tyre janë fëmijë, ndërkohë që rreth 150 të tjerë u plagosën pasi mbetjet e raketave ranë në një plazh afër.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se raketat e përdorura nga Ukraina ishin raketa ATACMS të furnizuara nga SHBA dhe pretendoi se ato ishin të programuara nga specialistë amerikanë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e quajti sulmin “barbar” dhe akuzoi SHBA-në për “vrasjen e fëmijëve rusë”.
Ai vuri në dukje komentet e presidentit Vladimir Putin, i cili kohët e fundit u zotua se Rusia do të hakmerret ndaj vendeve, armët e të cilave përdoren nga Ukraina për të sulmuar në caqet ruse.
Krimea është zonë e okupuar nga Rusia që nga viti 2014. /Gazeta Enigma